Faksi i famshëm i vitit 2007, me shënimin me shkrim dore “Për Shkëlzenin”, që kishte si dërgues Ministrinë e Drejtësisë dhe si marrëse Ministrinë e Mbrojtjes, në kohën kur shpërtheu Gërdeci, është bërë sërish objekt debati në procesin me të njëjtin emër në Gjykatën e Posaçme. Përmes avokatëve, Mediu ka pretenduar se akti nuk ka vlerën e provës.
Për këtë arsye, ai i ka kërkuar gjykatës që kjo shkresë, e cila ka dalë nga zyra e sekretares së ministrit të Drejtësisë së kohës, Aldo Bumçi, t’i nënshtrohet një ekspertimi daktilografik.
“Kërkuam që ose të hidhet poshtë, ose të bëhet akti i ekspertimit, sa i përket kaligrafisë, por edhe pretendimit të z. Bumçi, sa i përket një mashtrimi, sipas tij, nga ana e sekretares, duke cilësuar se ky ka qenë shënimi i Bumçit dhe njëkohësisht ka qenë ai që e ka bërë atë kërkesë. Është e çuditshme që ata që janë dëshmitarët kyç në këtë proces nuk gjenden. Shteti i fortë nuk e gjen dot se ku është ish-sekretarja e Bumçit. Është e thjeshtë: nëse është jashtë, të shikojnë TIMS-in; nëse është brenda, ka njerëz dhe familjarë që dinë se ku është.”
Ndaj Fatmir Mediut rëndon akuza e dyfishtë e shpërdorimit të detyrës, sipas Kodit Penal dhe atij Ushtarak, por sipas tij, i gjithë procesi gjyqësor është i motivuar politikisht.
/vizionplus.tv





