Subscribe

Departamenti Amerikan i Shtetit ka kritikuar sërish qeverinë e Kosovës. ‘Vendimi i një dite më parë për të shpallur dy grupe serbe në veri, si organizata terroriste nuk është bërë në bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.’

 

Kështu ka deklaruar një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.

 

DASH

 

“Një vendim i tillë duhej të ishte koordinuar me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës. Departamenti i Shtetit i bën thirrje Kosovës që të përmbahet nga hapat e njëanshëm ndërsa punojmë me të gjitha palët për zgjidhjen e krizës aktuale”.

 

Në reagim Shtetet e Bashkuara kanë dënuar sërish dhe e kanë konsideruar si të papranueshme dhunën kundër trupave të KFOR-it. Gjithashtu kërkojnë nxjerrjen para përgjegjësisë, në bazë të një procesi të drejtë ligjor dhe transparent të autorëve.

 

Të enjten qeveria e Kosovës shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, dy grupe që, sipas institucioneve të sigurisë, zhvillojnë veprimtari kërcënuese për rendin kushtetues të Kosovës, në pjesën veriore të vendit, me banorë kryesisht të pakicës serbe.

 

Shpërbërja e strukturave të tilla dhe integrimi i tyre në institucionet e Kosovës ishte paraparë me një marrëveshje të vitit 2015 ndërmjet Prishtinës e Beogradit në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por autoritetet në Kosovë thonë se ato kanë vazhduar të funksionojnë pavarësisht marrëveshjes.

 

Vendimi u mor në një kohë tensionesh të larta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të cilat filluan në fund të muajit maj kur autoritetet nisën zbatimin e rezultatit të zgjedhjeve të 23 prillit, të bojkotuara nga partitë politike serbe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *