Subscribe

Dajçi është një nga zonat më të prekura nga përmbytjet në qarkun e Shkodrës.

Rritja e prurjeve të lumit Buna dhe dalja e tij nga shtrati e ka vështirësuar akoma më shumë situatën në këtë njësi administrative, raporton Vizion Plus. Niveli i ujit në rrugë shkon në disa centimetra ndërsa për të udhëtuar drejtë kësaj zone lëvizja bëhet vetëm me mjete të larta.

 

Kin Mhillaj, banor i Dajçit ndihmoi ekipin e xhirimit të Vizion Plus për të shkuar drejt fshatit Dajç. Ai tregon se situata nga ditë në ditë po përkeqësohet ndërsa ngre shqetësimin se  zona po braktiset për shkak të përmbytjeve te vazhdueshme.

 

KIN MHILLAJ – BANOR I DAJÇIT

Kemi që në 2010 që vazhdojmë me këtë situatë. Nuk na ngrohin as dëmshpërblimet asgjë. Ne na intereson që të mos iki popullsia nga ky vend, t’i japin zgjidhje. Ka inxhinierë , Shqipëria ka njerëz të mençur që mund t’i japin një zgjidhje.

 

Krahas Dajçit problem mbetet dhe njësia administrative Ana e Malit, ku fshati Obot prej më shumë se një muaj mbetet i izoluar. Sipërfaqja e përmbytur në këtë qark, sipas shtabit të emergjencave, ka shkuar në mbi 5300 hektarë tokë bujqësore.

 

Nga reshjet intensive të rëna gjatë 24 orëve të fundit përmbytje ka pasur dhe njësinë administrative të Sukthit në Shijak.

 

Qytetari 1

Lagjja jonë është komplet nën ujë. Sidomos shtëpitë janë të rrethuara nga uji. Nga ora 7 na thanë na morën në telefon që ka dalë uji nga shtrati. Gjithë natën me pompë ka hyrë uji brenda.

 

Qytetari 2

Që mbrëmë që ne jemi nën ujë. Shtëpitë oborret të gjitha janë me ujë. Nuk ke nga del. E treta herë për këtë vit. kjo vjen nga dora e njeriut.

 

Qytetari 3

Kjo është dora e njeriut nuk është dora e zotit. Nuk dimë ku të ankohemi. Ne dalim për protestë na bien policinë për veten e vet çfarë nuk bëjnë.

 

Edhe në Fushë Krujë fshatrat Murqinë e Mallçuk rrezikohen nga uji pasi lumi Ishëm ka dalë nga shtrati.

 

Ndërkohë  në qarkun e Dibrës janë shkaktuar probleme në aksin që lidh Bulqizën me Peshkopinë pas rrëshqitjes së një masivi dheu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *