Anëtarja e Kryesisë së Partisë Demokratike, Dhurata Çupi kritikon kryeministrin Edi Rama se po përdor të gjitha rrugët për të mbajtur pushtetin me forcë e dhunë.

Teksa fliste në edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus” për propozimin e mazhorancës për listat dhe koalicionet, Çupi përsëriti akuzën ndaj kreut të qeverisë se tentoi që të ndryshonte Kushtetutën në mënyrë të njëanshme 4 muaj para zgjedhjeve.

“Qëndrimi është i qartë. Koha nuk është bllokuar nga opozita. Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar kanë qenë pro dhe e kanë dorëzuar marrëveshjen e 5 qershorit. Sot duhet të ishim në procesin e procedurave zgjedhore duke qenë se ka dalë edhe dekreti i Presidentit. Gjithçka pritej, Rama po përdorë të gjithë rrugët dhe format që të bllokojë një proces transparent në zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe të mbajë pushtetin me forcë e dhunë. Opozita ka paraqitur platformën e saj në marrëveshjen e 5 qershorit. Një tjetër premtim i pambajtur i Kryeministrit. A tentoi të ndryshojë Kushtetutën në mënyrë të njëanshme. Opozita përfaqëson gjysmën e shqiptarëve sot. Mos të ndryshojnë rregullat e lojës 4 muaj para zgjedhjeve sa i përket koalicioneve dhe mëyrës së llogaritjeve të mandateve.”

Demokratja u shpreh plot bindje se 50 për qind e shqiptarëve do të mbështesin opozitën e bashkuar në zgjedhjet e 25 prillit.

“Opozita nuk kishte asnjë lloj besimi tek fjala e mbajtur e kësaj mazhorance. Ne jemi të bindur që marrëveshja e 5 qershorit nuk përfshin gjithçka për t’i dhënë vendit zgjedhje të lira e të ndershme 100 për qind. Por ne besuam tek ky proces. Opozita sot është e pakta 50 për qind e shqiptarëve. Nuk është e re që Rama nuk e përfilli opozitën. Ai nuk e respekton gjysmën e votës së shqiptarëve. Ai është sot në mbështetjen më të ulët që ka njohur një qeveri në 30 vite. Me liderin Basha dhe me një program ekonomik të qartë, ne do të jemi fitues më 25 prill.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *