Deri të enjten e parlamentit shumica socialiste ka edhe dy ditë kohë që të bind opozitën për të votuar projektligjin i mbetur peng i 84 votave, amnistinë penale.

Ende pa u njohur me propozimet e Partisë Demokratike me kryetar Sali Berishën, Partia Socialiste do t’i qëndrojë deri në fund vendimit të saj për të përfituar ulje dënimi të dënuarit nga gjykata speciale kundër korrupsionit.

 “Nuk do të tërhiqemi në sensin që nuk do të ketë tolerancë për ato që janë gjykuar nga GJKKO, aty nuk kemi asnjë diskutim”, tha Bledi Çuci.

Nëse për të dënuarit nga GJKKO nuk ka lëshim, për protestuesit e dhunshëm të opozitës, pra ata që janë dënuar për goditje për shkak të detyrës apo shkatërrim të pronës publike, ekziston mundësia e një kompromisi.

 “Ato janë çështje teknike, pikërisht këto gjëra do të rakordohen edhe me strukturat e kodifikimit që ka Ministria e Drejtësisë”, tha Çuçi.

Deputetët socialistë, kryetari Bledi Çuçi i mblodhi edhe për t’iu thënë për nismën më të fundit të qeverisë për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar kundër keqinformimit. Qëllimi i tij sipas PS-ës është identifikimi dhe ndalimi i financimeve të shteteve armiqësore si Rusia në media e politikë dhe jo t’i mbyllë gojën medias online.

“Nuk është kontroll, është për të parë veprimtarinë edhe për të parë nëse ka depërtime të tilla dhe nëse ka shtigje ku akoma mund të depërtojnë vende të tilla në Shqipëri me qellim cënimin e proceseve demokratike”, u shpreh Çuçi.

Pasi të mërkurën pritet miratimi i ngritjes së komisionit kundër keqinformimit, mbetet për të parë se kujt do t’ia besojë drejtimin kryesocialisti Edi Rama. I parashikuar për të funksionuar për një vit, objekt i punës do të jetë zbulimi i parave të huaja në zhvillimet politike, median tradicionale, sociale dhe propozimet për ndryshime në ligj e masa administrative ndaj përfituesve të tyre./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *