Eurogrupi pritet të diskutojë sërish pasdite mbi masat financiare që do të merren për menaxhimin e krizës së shkaktuar nga pandemia. Parlamenti Hollandez ka miratuar dy rezoluta që i kërkojnë qeverisë të mos pranojë eurobonot e kërkuara nga Italia ndërsa Gjermania e Franca bëjnë thirrje për tejkalimin e ngërcit.

 

Në këtë situatë, kryeministri Giuseppe Conte duke folur për median gjermane Bild, i kërkon Bashkimit Europian të përgjigjet në mëyrën e duhur dhe të koordinuar pasi sipas tij kriza nuk është vetëm e Italisë por e gjithë Europës.

 

GIUSEPPE CONTE

KRYEMINISTER I ITALISE

BE duhet të përgjigjet pa nëse dhe pa por, është në interesin reciprok që Europa të veprojë në këtë sfidë, përndryshe duhet ta braktisim ëndrrën europiane dhe të themi se të gjithë janë për veten e vet. Ne nuk presim që Gjermania dhe Hollanda të paguajnë borxhet tona. Por rregullat e politikës fiskale duhet të lihen mënjanë. Eurobondi është i nevojshëm sepse vendet europiane kanë nevojë për të përmirësuar mekanizmat ekzistues finaciarë dhe ekonomikë. Askujt nuk i bëhet mirë nëse Europa nuk reagon fort. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Italinë. Ne kurrë nuk kemi përjetuar një situatë emergjente të këtij lloji. Janë qytetarët europianë që presin zgjidhje europiane.

Ndërkohë shefja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde ben thirrje për një reagim të fortë ndaj koronavirusit, duke u kërkuar qeverive të kapërcejnë dallimet. Ajo shton se politikat buxhetore dhe monetare duhet të harmonizohen pasi kjo krizë kërkon solidaritet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *