Ish-avokati i presidentit amerikan Donald Trump, Michael Cohen, është shpallur fajtor në një gjykatë në Manhattan nen akuzën e shkeljes së ligjeve te financimit të fushatës.

 

51-vjeçari pranoi tetë akuza, duke përfshirë mashtrimin për taksat dhe bankat. Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë.

 

Michael Cohen, ka qenë dikur njeriu më  i besuar i Presidentit Trump. Ai organizoi grumbullimin e miliona dollarëve për fushatën e tij.

 

Duke deklaruar fajësinë, Cohen nuk përmendi me emër Presidentin Trump dhe tha se kishte punuar me një “kandidat të paidentifikuar”. Cohen mund të dënohet me katër deri në pesë vjet burg. Masa e dënimit do të jepet më 12 dhjetor.

 

Pranimi i fajësisë nga Cohen erdhi pas shumë muaj hetimesh të hollësishme federale dhe prishjes së marrëdhënieve të tij me presidentin, për të cilin më parë ai thoshte se ishte gati ta mbronte qoftë edhe nëse “merrte vetë një plumb”.

 

Në muajin prill, FBI-ja gjatë një kontrolli në banesën dhe zyrën e Cohen sekuestroi më shumë se 4 milionë dokumente dhe objekte të tjera.

 

FBI ka kërkuar dokumente bankare, komunikimet gjate fushatës së Trump si dhe informacione rreth pagesave për dy femra, përkatësisht 130 mijë dhe 150 mijë dollarë. Të dyja gratë kanë thënë më herët se Trump ka patur marrëdhënie intime me to, gjë që ai e ka mohuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *