Pas 86 vitesh, çmimi Nobel për paqen shkon në gazetari. Komiteti Norvegjez vlerësoi gazetaren filipino-amerikane, Maria Ressa dhe kryeredaktorin e gazetës së pavarur ruse “Novaya Gazeta”, Dmitry Muratov, për përpjekjet e tyre në mbrojtje të lirisë së shprehjes.

 

BERIT REISSANDERSEN

KRYETARJA E KOMITETIT NORVEGJEZ TE NOBELIT

 

“Maria Ressa dhe Dmitry Muratov merituan çmimin e Paqes për luftën e tyre të guximshme për lirinë e shprehjes në Filipine dhe në Rusi. Në të njëjtën kohë, ata janë përfaqësues të të gjithë gazetarëve që angazhohen për këtë ideal në një botë në të cilën demokracia dhe liria e shtypit përballen me kushte gjithnjë e më të pafavorshme”.

 

Çmimi i ndarë është i pari për gazetarët, që kur gjermani Carl von Ossietzky e fitoi atë në vitin 1935, për zbulimin e programit të fshehtë të armatimit të pasluftës së Parë Botërore të vendit të tij.

 

Sipas komitetit norvegjez të Nobelit, gazetarja Maria Ressa përdor lirinë e shprehjes për të ekspozuar abuzimin me pushtetin, përdorimin e dhunës dhe rritjen e autoritarizmit në vendin e saj të lindjes, Filipinet. Në vitin 2012, ajo bashkë-themeloi Rappler, një kompani e mediave digjitale për gazetarinë hulumtuese, të cilën e drejton ende.

 

Rappler ka përqendruar vëmendjen kritike në fushatën kontroverse, vrasëse kundër drogës të regjimit Duterte. Numri i vdekjeve është aq i lartë sa fushata i ngjan një lufte të zhvilluar kundër vetë popullsisë së vendit. Ressa dhe Rappler gjithashtu kanë dokumentuar sesi mediat sociale po përdoren për të përhapur lajme të rreme, për të ngacmuar kundërshtarët dhe për të manipuluar ligjërimin publik.

 

Ndërkaq, Dmitry Muratov ka mbrojtur për dekada lirinë e fjalës në Rusi në kushte gjithnjë e më sfiduese. “Novaja Gazeta” të cilën e themeloi 28 vjet më parë,  është gazeta më e pavarur sot në Rusi, me një qëndrim thelbësisht kritik ndaj pushtetit.

 

Gazetaria e bazuar në fakte dhe integriteti profesional i gazetës e kanë bërë atë një burim të rëndësishëm informacioni mbi aspektet e censurueshme të shoqërisë ruse të përmendura rrallë nga mediat e tjera.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *