E premte, 18 Shtator 2026 Film TV deri në 23:59 Në vijim ora 00:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Clinton: Presidenca Trump si ajo e Nixonit

Ilustrim · Vizion Plus

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton e krahasoi dje presidentin amerikan, Donald Trump me ish-presidentin Richard Nixon, i cili në vitin 1974 dha dorëheqjen në mes të skandalit Watergate.

 

Ish-kandidatja presidenciale e bëri deklaratën e sipërcituar në ceremoninë e diplomimit në kolegjin ”Wellesley” të Bostonit, shkolla ku edhe vetë ajo u diplomua shkëlqyeshëm për Shkenca Politike, në vitin 1969.

 

Richard Nixon u dyshua se po pengonte drejtësinë, pasi ai shkarkoi prokurorin special të Departamentit të Drejtësisë, i cili po mbikëqyrte një hetim për veprimet e tij.

 

Clinton iu referua shkarkimit të prokurorit special, Archibald Cox, në vitin 1974, i cili drejtonte hetimet për skandalin e Watergate.

 

Disa analistë kanë krahasuar shkarkimin e Cox me shkarkimin që Trump i bëri shefit të FBI-së, James Comey, më 9 maj.

 

Clinton, e cila humbi përballë Trump në zgjedhjet e 8 nëntorit, është shfaqur shpesh kohët e fundit në publik.

 

Javën e kaluar, ajo njoftoi krijimin e lëvizjes së saj të re ”Onward Together” (”Përpara së bashku”), për të mbështetur njerëzit që përfshihen në politikë dhe që kundërshtojnë administratën Trump.

admin
Gazetar/e · Vizion Plus · Redaksia e Vizion Plus.
Të gjithë artikujt

Vazhdo të lexosh