Agim Rrapaj, kryetar i këshillit të agrobiznesit është i mendimit se programi i hartuar nga Banka e Shqipërisë për të lehtësuar kreditë për biznesin e vogël është një instrument që do të ketë efekte pozitive. Fokusuar pak më shumë në sektorin e bujqësisë, si më i nënfinancuari në ekonomi, ky program mbart dhe dy rrisqe sipas Rrapajt.
“Është e nevojshme që banka qendore të mund të monitorojë bankat e nivelit të dytë për zbatimin e këtij programi. Nuk mjafton vetëm të japësh fondet, pasi bankat e nivelit të dytë mund të jenë kufizuese në disbursimin e këtyre fondeve. Analiza e rriskut që ato bëjnë mund të jetë penalizuese për shumë subjekte, siç ka ndodhur me garacitë sovrane të dhëna në disa sektorë të tjerë. Nga ana tjetër burokracia mund të jetë një element i dytë rrisku. Shpesh herë bankat kërkojnë dokumenta që fermerët apo kompanitë në sektorin e bujqësisë nuk i kanë. Ndaj kjo mund të jetë penalizuese për sektorin, që ka kaq shumë nevojë për shumë financim”, sqaroi Agim Rrapaj në Vizion Plus.
Kredia që jepet për sektorin e bujqësisë arriti në 2.8 mliard lekë dhe kjo është një shumë gati 1-2% e totalit të kredisë që jepet për biznesin në tërësi. Sektori po kalon ditë të vështira ndaj mbështetja me kredi është një impuls që i jepet.
“Qeveria ka në plan që kreditë për sektorin t’i ofrojë me garanci sovrane, pasi ky është dhe një nga problemet që kanë fermerët, nuk kanë kolateral për të marrë kredi. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbështeten fermerët, pasi nevojat për financim në këtë fushë janë të larta”, tha Rrapaj.
Mbështetja për sektorin vjen në një moment kur prej dy vitesh BE ka bllokuar fondet për zhvillimin e bujqësisë, nga programi IPARD. Ende nuk ka asnjë sinjal se kur do të rifillojë ky program./vizionplus.tv