50 mijë fletë votimi nga diaspora në lidhje me votat preferenciale për kandidatët janë ende në proces numërimi te Parku Olimpik, njoftoi kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, në një deklaratë për mediat.
“201.795 numri i fletëve të votimit të vlerësuara, prej të cilave 199.824 janë fletë votimi të vlefshme. 1971 janë të pavlefshme. Për ta kuptuar më qartë janë 201.795 votues nga jashtë. Pra po të vëreni dhe ta konstatoni pasi të mbarojmë bashkëbisedim nga numri total i zarfeve postarë të mbërritur në KQZ, janë 100, janë shqyrtuar 95 apo 98, ka kuptim logjik. Nga kjo e tërë e shqyrtuar kanë rezultuar numër pak më i vogël fletësh votimi që iu janë nënshtruar procesit…dhe tani po vazhdon vlerësimi i fletëve të votimit për kandidatët. Këto fletë votimi janë duke u rivlerësuar vetëm për kandidatët”, tha Celibashi.
Procesi është kontestuar nga disa kandidatë, ndërsa disa prej tyre kanë kërkuar pamjet filmike gjatë numërimit
“Nëse një parti politike apo koalicion, iu kemi thënë që gjithsecili prej këtyre subjekteve mund të tërheqë në KQZ pamjet filmike. Nëse nuk i siguron dot për arsye të ndryshme, KQZ ua vë në dispozicion çdo kandidati. Unë e di se çfarë duhet të ndodhë por nuk dua të ndërhyj në kompetencën e njërit apo tjetrit. Rinumërimi nuk ka të bëjë me komisionerin shtetëror. Nuk dua të jap një përgjigje për këtë gjë”, tha kryekomisioneri.
Me shumë problematika dhe pretendime për tjetërsim të vullnetit të qytetarëve shqiptarë që votuan nga Greqia, a ekziston mundësia që procesi i votimit të shpallet i pavlefshëm?
“Nëse verifikohen shkelje të ligjit dhe ndikojnë në rezultat çdo lloj votimi mund të shpallet i pavlefshëm. Me siguri të plotë them se çfarë ka administruar KQZ me këtë proces ka prodhuar integritet të plotë të paktën për atë segment dhe kompetencë të KQZ. Ngelet diskutimi se si votuesit nga jashtë kanë votuar, por në momentin që gjithsecili prej tyre ka vendosur fletën e votimit në zarfin përkatës, asnjë gjë s’e ka cenuar integritetin e procesit zgjedhor. Më shumë akoma në ambientin ku zhvillohet procesi i numërimit të votave. Nga ana tjetër, ka të drejtën e vet për të kërkuar dhe sqaruar çdokush që ka pretendimet për këtë process”, përfundoi Celibashi./vizionplus.tv





