Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur zyrtarisht garën për kreun e ri të SPAK, pas përfundimit të mandatit të Altin Dumanit në muajin dhjetor të këtij viti.
Me 11 vota pro dhe asnjë kundër, KLP miratoi vendimin që starton procesin, duke caktuar tre javë afat për aplikimet e kandidatëve, deri më 8 tetor, ndërsa u përcaktuan edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët.
Mbledhja e trupës së KLP-së, u ndoq edhe nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane në vendin tonë.
Drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme do të zgjidhet mes prokurorëve të SPAK për një mandat 3-vjeçar pa të drejtë rikandidimi. Zgjedhja bëhet me shumicë të thjeshtë votash nga 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Dumani, i zgjedhur në dhjetor 2022 pas Arben Krajës, drejtuesit të parë të SPAK, do të vijojë punën si prokuror i posaçëm deri në mbarim të mandatit 9-vjeçar. Zgjedhja e tij u bë në një kohë me pritshmëri të larta për rezultate kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, nën monitorimin e ngushtë të ndërkombëtarëve, përfshirë ish ambasadoren amerikane Yuri Kim.
Edhe këtë herë, procesi pritet të ketë vëmendjen e partnerëve ndërkombëtarë. E ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, theksoi pak ditë më parë se përzgjedhja duhet të jetë transparente, e paanshme dhe e lirë nga çdo ndikim i jashtëm.
Ky është hapi i parë drejt përcaktimit të pasardhësit të Altin Dumanit, me një proces që do të ndiqet me kujdes si brenda, ashtu edhe jashtë vendit./vizionplus.tv




