Një shtet i huaj organizoi sulmin e fundit kibernetik, që shënjestroi ministrinë e Jashtme të Çekisë, tha të martën komiteti i sigurisë së Senatit, megjithëse nuk e identifikoi vendin në fjalë, si dhe nuk paraqiti detaje për incidentin, raporton Reuters.

 

Më parë, e përditshmja çeke “Denik N” raportoi se sulmi kibernetik ndaj ministrisë së Jashtme kishte ndodhur në qershor, por që asnjë e dhënë konfidenciale nuk ishte komprometuar. Duke cituar tre burime, gazeta gjithashtu tha se sulmi kishte origjinën në Rusi.

 

Komiteti i Senatit për Çështje të Jashtme, Mbrojtjen dhe Sigurinë i ka bërë thirrje qeverisë që të marrë seriozisht sigurinë në internet, duke përmendur informacione nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë Kibernetike dhe e Agjencisë për siguri të informacionit.

 

“Komiteti deklaron me shqetësim se incidenti i fundit, sulmi kibernetik kundër ministrisë së Jashtme, është kryer nga një shtet i huaj”, thuhet në një deklaratë të postuar në faqen e Senatit.

 

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme nuk pranoi të komentojë.

 

Dhjetorin e kaluar, shërbimi çek i inteligjencës, tha në raportin e tij vjetor, se shërbimet e inteligjencës ruse ishin prapa sulmeve kibernetike që synonin Ministrinë e Jashtme në vitin 2017./REL

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *