Subscribe

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një vizitë zyrtare në Tiranë, Ministrin e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grlic-Radman.

 

Takimi u fokusua në disa çështje kryesore, ndër të cilat çelja e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, rëndësia gjeostrategjike e angazhimit të thelluar të BE-së në Ballkanin Perëndimor, si dhe përpjekjet e përbashkëta për të nxitur bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.

 

Pas takimit, të dy Ministrat zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.

 

Në fjalën e mbajtur, Cakaj, fillimisht falënderoi homologun kroat për mbështetjen e pakursyer dhënë për Shqipërinë, që prej oreve të para pas tërmetit të 26 nëntorit dhe kontributit në konferencën ndërkombëtare të donatoreve.

 

Gjithashtu, ai nënvizoi punën e jashtëzakonshme të Presidencës kroate të  Këshillit të Bashkimit Evropian, për të mundësuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

 

“Është krejtësisht e qartë se Shqipëria ka plotësuar të gjitha kushtet për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Ky nuk është as qëndrim personal as opinion politik, por realitet objektiv i dokumentuar tashmë edhe nga Komisioni Evropian.”- cilësoi Kreu i diplomacisë shqiptare.

 

Sa i përket bashkëpunimit dypalësh, Cakaj theksoi se, palët vleresuan edhe njëherë rëndësinë madhore të Deklaratës së Partneritetit Strategjik mes Shqipërisë dhe Kroacisë, si dhe shprehën angazhimin për të nxitur ndërlidhjen ekonomike, lëvizjet shoqërore e kulturore dhe zhvillimin e brezit të Adriatikut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *