Byreçka me mish të grirë në tigan nga shefja e kuzhinës Albana Mançja
Byreçka të shijshme dhe të buta, të mbushura me mish të grirë dhe perime, që përgatiten lehtësisht në tigan. Më poshtë gjeni recetën nga shefja e kuzhinës Albana Mançja, me një mbushje plot shije dhe aromë.
Përbërësit:
– 300 g miell
– 150 ml ujë të vakët
– 1 lugë çaji maja të thatë aktive
– ½ lugë çaji sheqer
– 1 lugë gjelle vaj
Për mbushjen:
– 250 g mish i grirë
– ½ qepë e vogël ose presh
– 1 karotë e vogël
– 1–2 lugë gjelle salcë soje
– 1 lugë çaji salcë pikante
– 1 lugë çaji xhenxhefil
– Kripë
– Piper
Përgatitja:
Përziejmë majanë, sheqerin dhe ujin e vakët dhe e lëmë për 5–10 minuta. Më pas shtojmë miellin dhe vajin dhe formojmë një brumë të butë, të cilin e lëmë të pushojë për rreth 1 orë, derisa të fryhet.
Ndërkohë, përgatisim mbushjen. Në një tigan me pak vaj kaurdisim qepën ose preshin dhe xhenxhefilin. Shtojmë mishin e grirë dhe e skuqim derisa të marrë ngjyrë. Hedhim salcën e sojës, salcën pikante, nëse dëshirojmë, dhe karotën. E lëmë të lidhen shijet për 5 minuta.
Ndajmë brumin në 8 kuleçë, hapim secilin me dorë dhe vendosim nga një lugë mbushje në mes. Më pas i mbyllim mirë. I vendosim byreçkat në tavë me letër pjekjeje dhe i lëmë për 20 minuta që të bëhen të buta dhe të fryra. Më pas i vendosim të piqen në furrë të parangrohur ose i skuqim në tigan me pak ujë.




