Përfaqësuesi i PD në tryezën e reformës zgjedhore, Oerd Bylykbashi akuzoi mazhorancën se synimi i saj është të vijojë vjedhja e votave. Duke iu kundërpërgjigjur Damian Gjiknurit në “Facebook”, Bylykbashi tha se PS kërkon të bllokojë reformën zgjedhore.

 

“Deklaratat e sotme të përfaqësuesit të kryeministrit në reformën zgjedhore, nuk janë asgjë tjetër veçse kushtëzim i saj me një qëllim të vetëm: të bllokojnë reformën zgjedhore dhe PS të vazhdojë të blejë vota dhe të përdorë kriminelët. Qëndrimet e PS në reformë synojnë që vjedhjes së zgjedhjeve t’i vendosin vulën e gjykatësve që kanë vënë nën thundër dhe presion politik me vetingun, siç e thotë troç ODIHR në raportin përfundimtar për 30 qershorin 2019.”

 

Demokrati e bëri të qartë se opozita do të pranojë vetëm reformë zgjedhore të vërtetë. Sipas Bylykbashit, garancia e vetme për këtë është krijimi i qeverisë kujdestare.

 

“Opozita e bashkuar, në përputhje me angazhimin e saj publik ka bërë propozime që synojnë të mbrojnë votën e shqiptarëve nga kriminelët dhe të korruptuarit që rrethojnë Edi Ramën. Propozimi i opozitës së bashkuar për një qeveri kujdestare pa Edi Ramën ‎eshte garancia qe masat e reformës zgjedhore nuk mbeten vizatime në letër, por garantojnë realisht interesin e zgjedhësve shqiptarë. Opozita nuk pranon reformë farsë por vetëm një reformë zgjedhore të vërtetë!”

 

Opozita ka propozuar në tryezën e reformës elektorale reformimin e Kolegjit Zgjedhor dhe të gjithë procesit të ankimeve duke pasur si qëllim krijimin e garancive për një gjykatë të pavarur.

 

Propozimi i demokratëve është hedhur poshtë nga socialistët të cilët nuk pranojnë të negociojnë parimet e reformës në drejtësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *