Bylykbashi: Duhet një shtet ku qeveria jep llogari me votë

Demokrati Oerd Bylykbashi deklaroi se shoqëria shqiptare ka nevojë për një shtet ku të jenë qytetarët me anë të votës ata që caktojnë qeverinë.
Ai u shpreh në rrjetet sociale se sot shteti është bërë barrë e shqiptarëve.
“Dekriminalizimi ishte një fitore jo thjesht e opozitës, por e shoqërisë. Ishte shembull i një beteje që planifikohet me kujdes dhe luftohet me kurajo dhe moral deri në fund. Shoqëria sot ka nevojë për devulgarizim të institucioneve, depolitizim të tyre, deinjorantizim, demonopolizim e plot “de” të tjera që do çlirojnë shpresat dhe të ardhmen e shqiptarëve. Shoqëria ka nevojë për siguri dhe nomalitet dhe për një lidership politik që ia mundëson që të planifikojë të ardhmen. Shoqëria ka nevojë për “reformën e stabilitetit” që ta garanton vetëm një shtet i drejtë, një shtet i vogël që nuk është barrë në kurriz e në xhep të shqiptarëve. Një shtet i së drejtës ku është rikthyer ndarja dhe kontolli i pushteteve që sot nuk ekzistojnë më. Një shtet ku vota e lirë cakton qeverinë dhe qeveria jep llogari me votë.”




