Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ndodhet për një vizitë zyrtare në Astana të Kazakistanit.

 

Gjatë kësaj vizite, e para e një ministri të Jashtëm të Shqipërisë gjatë këtyre 25 viteve ne kete vend, Bushati u takua me ministrin e Jashtëm të Republikës së Kazakistanit, Kairat Abdrakhmanov si dhe u prit në takim nga Kryetari i Senatit Kassym-Jomart Tokayev.

 

Në takimin me homologun kazak, ministri Bushati, sipas zyrës së shtypit të ministrit, e vuri theksin në rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve ekonomiko-tregtare, përmes konkretizimit të lidhjeve në sektorë të ndryshëm të biznesit, në fushat me interes të përbashkët mes dy vendeve.

 

Ai e quajti premtues bashkëpunimin dypalësh për realizimin e projekteve në fushën e naftës dhe të gazit, infrastrukturës, turizmit, agro-bujqësisë dhe nënvizoi gjithashtu nevojën e nxitjes së kontakteve mes komuniteteve të biznesit të të dy vendeve, në mënyrë që të përfitohet sa më shumë nga të gjitha hapësirat e mundshme të bashkëpunimit.

 

Gjatë takimit, ministri Bushati falënderoi homologun për thellimin e bashkëpunimit shumëpalësh duke rikonfirmuar angazhimin e mëtejshëm në çështjet e sigurisë, luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe sfidave e kërcënimeve të tjera transnacionale.

 

Nga ana e tij, ministri Abdrakhmanov shprehu interesin e Kazakistanit për nxitjen e mëtejshme të marrëdhënieve të bashkëpunimit me Shqipërinë, sidomos në aspektin ekonomik dhe bashkarisht me ministrin Bushati u dakordësuan për të finalizuar kuadrin ligjor, i cili do të lehtësojë bashkëpunimin në këtë drejtim. Gjatë kësaj vizite, ministri Bushati shoqërohej edhe nga një grup biznesmenësh shqiptarë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *