Tradhtojnë më shumë gratë apo burrat? Si të kuptojmë që partneri/ja po na tradhton? A jemi ne një shoqëi që duam të tradhtojmë?
Këto dhe shumë të tjera u diskutuan mëngjesin e kësaj të premte në studion e 7 pa 5 në Vizion Plus, nën moderimin e Alma Çelaj dhe Syrjan Rahovës.
E ftuara, psikologia Ermela Shllaku tregoi disa shenja se si të kuptojmë që po tradhtohemi. Psikologia u shpreh gjithashtu se së fundmi, në shoqërinë shqiptare, burrat e martuar kanë një tendencë më të madhe për të tradhtuar.
Shllaku deklaroi se në një çift, nuk duhet kontrolluar telefoni i partnerit apo partneres, por duhet vëzhguar nëse shohim që ka një ndryshim sjellje.
Pjesë nga biseda:
Shllaku: Tradhtia nuk është vetëm në çift, por ekziston edhe në marrëdhëniet shoqërore apo midis kolegëve. Persona të ndryshëm e konceptojnë ndryshe tradhtinë. Ka nga ata që e quajnë tradhti edhe një flirt apo një mesazh emocional me dikë tjetër që nuk është partneri/partnerja. Të tjerë e konsiderojnë tradhti një marrëdhënie fizike apo shpirtërore. Në një çift mund të kemi dy koncepte të ndryshme për tradhtinë. Nuk mendoj se mund të japim një përkufizim të plotë për të.
Rahova: Cilat janë disa tipare standarde që tregojnë se partneri/partnerja po na tradhton?
Shllaku: Unë do të thoja se kryesorja është intuita. Intuita është si një hyrje në të pavetëdijshmen, ajo që në zhargon themi: “Ndjej diçka, diçka nuk më duket në rregull”. Përveç intuitës, nëse ajo na gabon, jemi në epokën e teknologjisë dhe rrjeteve sociale.
Çelaj: A është e pranueshme të kontrollosh telefonin e partnerit? Nuk duket sikur aty nuk ka më besim.
Shllaku: Jo, jo kontroll, por vëzhgim. Nëse partneri/partnerja ka tendencën të fshehë telefonin ose ndryshon sjellje, këto mund të jenë sinjale. Gjithsesi, jo kontroll. Edhe ndryshimi i stilit të jetesës është një tregues. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm me këtë, sepse shkelja e kufirit të privatësisë mund të sjellë pasoja të tjera dhe nuk është e shëndetshme.
Rahova: Si mund ta kuptojë një grua që burri i saj po e tradhton?
Shllaku: Për mua është shumë e rëndësishme komunikimi. Nëse ka një problematikë, ajo duhet trajtuar që në fillim, para se të bëhet e madhe. Nëse dyshojmë për tradhti, më e shëndetshme është të flasim hapur për shqetësimet tona. Kohët e fundit kam vënë re dy ekstreme: ose personi që tradhton shton vëmendjen ndaj partneres, ose kalon në injorim total. Në një marrëdhënie, ne e dimë shumë mirë sjelljen normale të partnerit ndaj nesh. Çdo ndryshim i kësaj sjelljeje është një shenjë që diçka nuk shkon.
Çelaj: A ekzistojnë tradhtarë kronikë?
Shllaku: Po, ka. Kjo shpesh buron nga fëmijëria dhe modelet që kanë parë gjatë rritjes. Tradhtia mund të jetë një sjellje e fituar për ata që e kanë parë atë si një fenomen të zakonshëm në familje ose mjedis. Gjithashtu, personat me ego të sëmurë, që kanë nevojë për vëmendje të shtuar, janë më të prirur të tradhtojnë nëse ndihen të papërfillur.
Rahova: Në shoqërinë shqiptare, kush tradhton më shumë, vajzat apo djemtë?
Shllaku: Besoj e dimë përgjigjen. Unë do thoja meshkujt, sepse shoqëria jonë është më justifikuese ndaj tyre.
Rahova: Kush tradhton më shumë, djemtë që janë në një lidhje të pakurorëzuar apo burrat e martuar?
Shllaku: Ka raste kur edhe djemtë në lidhje shumëvjeçare, por pa kurorëzim, tradhtojnë. Gjithsesi, së fundmi duket se burrat e martuar kanë një tendencë më të madhe për të tradhtuar, shpesh për shkak të mërzitjes në marrëdhënie dhe mungesës së komunikimit. Ka individë që nuk e pranojnë dot tradhtinë dhe nuk e bëjnë kurrë, ashtu siç ka të tjerë që nuk e shohin si problem. /vizionplus.tv