Analisti Blerim Burjani në një intervistë për Vizion Plus ka folur lidhur me situatën e krijuar në veri të Kosovës dhe ndikimin që do të ketë në marrëdhëniet me Serbinë lirimi i tre policëve.

 

Si mendoni se do t’i shërbejë uljes së tensioneve lirimi i tre policëve të Kosovës?

 

“Është pozitive kjo që ka ndodhur, lirimi i tre policëve të Kosovës, por gjendja ende mbetet e mjerë, nuk ka ndonjëfarë lëvizje dhe nuk pres ndonjë lëvizje shumë të fuqishme ose të dobishme që do të shkojë drejt shtensionimit të plotë të gjendjes, pasi ky është vetëm hapi i parë që mund të ndodhë dhe ka ndodh si pozitiv edhe pse Kosova është dashur të bëjë lirimin e objekteve dhe kamioneve që i mban në kufi, që e ka mbyllur kufinjt”, tha ai duke theksuar se nuk duhet të ketë kushte mes Kosovës dhe Serbisë për të vijuar dialogun.

 

Kurti kërkoi që agresioni serb të mbahet përgjegjës, a do të pengojë kjo uljen e tensioneve?

 

“Unë konsideroj që Kurti duhet të jetë më fleksibël në dialog, nuk duhet të nxjerrë kushte dhe nuk duhet të ketë fjalorin e tillë. Po ashtu dhe Vuçiç duhet të ndal fjalorin e tij nacionalist, me nacionalizma me tentativë për të treguar cili është shtet më i fortë në Ballkanin Perëndimor, Serbia apo Kosova, nuk arrihet zgjidhja”, thekson ai duke theksuar se zgjidhja gjendet vetëm përmes dialogut të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët. “Nuk jam për asnjë konferencë të tipit të dikurshëm, që të zgjidhet çështja e verit, pasi çështja e veriut është vetëm segment i të drejtave të njeriut, kërkohet zgjerim i të drejtave e lirive të njeriut. Kosova duhet të ketë  parasysh këtë mundësi që në kuadër të saj, kornizave kushtetuese të bëjë përpjekje të zbulojë të drejta të tjera civile që mund të adoptohen për jetesën civile të serbëve në Kosovë”, shton ai duke theksuar se kjo duhet zgjidhur nga vetë serbët e Kosovës pa u përfaqësuar nga deklaratat e Vuçiç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *