Burg trafikantëve të kokainës, sollën në Shqipëri tonelata me drogë të fshehur në lëkurë gjedhësh
10 anëtarët e bandës kriminale që kishin fshehur tonelata në tëra me kokainë në lëkurën e kafshëve, u lanë në burg pa afat.
Mes të arrestuarve tre ishin të huaj, dy venezuelianë dhe një kolumbian që do të bënin ndarjen e kokainës nga lëkura e bagëtive.
Përveç njërit prej venezuelianëve, që deklaroi se kishte ardhur në Shqipëri për të mbjellë flokët, nëntë të tjerët kyçën gojën përballë togave të zeza.
Ndërkohë, kokaina e shkrirë në lëkurë gjedhi që u kap brenda laboratorit të sofistikuar të drogës në Qerekë të Fushë-Krujës i është nënshtruar analizave, që do të përcaktojnë saktësisht sesa kilogramë kokainë do të ekstraktoheshin nga ndarja e 48 tonëve lëkurë gjedhi.
Nga ana e tyre hetuesit po përpiqen të kuptojnë se si u fut sasia e madhe e kokainës në lëkurën organike që do të shitej në treg për çanta, këpucë etj.
Hetimi për këtë operacion ka nisur para dy viteve, pas sinjalizimit nga ana e autoriteteve spanjolle që mundën të kapin dhe vënë para drejtësisë persona që kanë trafikuar drogë nga Amerika Latine drejt Europës në po të njëjtën mënyrë.
Ata kishin dyshime se të përfshirë në veprimtarinë kriminale kanë qenë edhe shqiptarë.
Hetuesit sekuestruan tonelata me lëkurë gjedhi të importuar dy muaj më herët, 6.1 kilogramë kokainë të pastër, 89.5 përzies për solucione të lëngshme për drogën, pajisje laboratorike, 3 automjete, 22 telefona si dhe shuma të mëdha parash në euro, lekë dhe monedhë kolumbiane./vizionplus.tv




