Bullgaria theksoi sot se kërkon të ruajë cilësinë e partneritetit të saj me fqinjin turk, një javë pasi akuzoi Ankaranë për ndërhyrje në fushatën zgjedhore për zgjedhjet legjislative të parakohshme bullgare më 26 mars.

 

“Ne nuk duhet të lejojmë që deklaratat e politikanëve para zgjedhjeve të kërcënojnë atë që është fituar tashmë mes dy vendeve. Ne kemi një partneritet të mirë që duhet zhvilluar”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Radi Naydenov për të përditshmen “Standart”.

 

Më 7 mars, Sofja thirri ambasadorin e Turqisë, Suleyman Gokçe, për të dënuar shfaqjen e një klipi zgjedhor të një partie të re të minoritetit turk mbështetur nga Ankaraja “Dost” (“mik” në turqisht – shën. i përkth.).

 

Qeveria reagoi gjithashtu kundër deklaratave të ministrit turk të Punëve Sociale, Mehmet Muezzinoglu, i cili u kishte kërkuar qytetarëve bullgarë me origjinë turke të votonin për këtë formacion.

 

Sofja shprehu keqardhje për një ndërhyrje të drjetpërdrejtë në punët e brendshme bullgare.

 

Minoriteti mysliman i Bullgarisë, përbërë veçanërisht nga turq, përbën rreth 13 për qind të trupës zgjedhore. Rreth 60 000 turq që kanë shtetësi bullgare votojnë në Turqi.

 

Naydenov kërkoi gjithashtu të mos nxirren konkluzione globale nga një incident i fushatës zgjedhore.

 

Ndërkohë që marrëdhëniet mes disa vendeve të Bashkimit Evropian dhe Ankarasë kanë degraduar për shkak të ndalimeve të bëra për zyrtarët turq për të zhvilluar mitingje elektorale për referendumin turk të 16 prillit, Sofja shqetësohet për dobësimin e marrëveshjes migratore BE-Turqi në mars 2016.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *