Imazhet dhe historitë e tmerrshme që po vërshojnë pas tërheqjes së forcave ruse nga qytetet e Ukrainës, si qyteti Bucha, dëshmojnë për një degradim që të sjell në kujtesë barbaritë në Kamboxhia, në Ballkan, apo gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Shtrohet pyetja – çfarë duhet bërë pas këtyre vuajtjeve?
Pasi zyrtarët ukrainas bënë të ditur se deri më tani janë zbuluar mbi 400 kufoma civilësh, në nivelet më të larta të pushtetit politik perëndimor janë shtuar zërat që bëjnë thirrje për llogaridhënie, ngritje akuzash dhe ndëshkim. Të hënën, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i denoncoi vrasjet si “gjenocid” dhe “krime lufte”, dhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha se Presidenti rus Vladimir Putin është “një kriminel lufte” që duhet të gjykohet.
Por, rruga për të mbajtur përgjegjës penalisht presidentin rus dhe drejtues të tjerë të lartë është e gjatë dhe komplekse, paralajmërojnë juristët e ligjit ndërkombëtar.
“Sigurisht që zbulimi i trupave që mbartin shenja ekzekutimi, siç janë plagë plumbi në kokë, përfaqësojnë evidencë të fortë për krime lufte”, tha Clint Williamson, i cili shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara për çështjet e krimeve të luftës gjatë periudhës 2006 – 2009.
“Kur viktimat gjenden me duart e lidhura, me sytë e lidhur dhe me shenja të qarta torture apo sulmi seksual, rasti bëhet edhe më bindës. Nuk ekzistojnë rrethana në të cilat mund të lejohen këto veprime, qoftë nëse viktimat janë civilë, apo nëse janë personel ushtarak i kabur rob”, shtoi ai.
Nuk ka arsye për të besuar se rusët do t’i dalin për zot krimeve të luftës. Ministria ruse e Mbrojtjes tha të dielën se “asnjë civil i vetëm nuk është përballur me akte dhune nga ushtria ruse”, dhe Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov i ka përshkruar skenat përreth Kievit si “një provokim i inskenuar anti-rus”.
Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila zakonisht ngre akuza ndaj vetëm një numri të kufizuar personash të nivelit të lartë, ka çelur tashmë një hetim për mizoritë në Ukrainë. Prokurorët ukrainas kanë filluar mijëra hetime penale, ndërsa prokurorët në Poloni, Gjermani, Lituani, Letoni, Estoni, Francë, Sllovaki, Suedi, Norvegji dhe Zvicër kanë hapur hetime të tyret. Janë shtuar gjithashtu thirrjet për të krijuar një gjykatë speciale për të hetuar Rusinë për krimin e agresionit në Ukrainë.
Për të ngritur një çështje penale për krime lufte, prokurorët duhet të mbledhin evidencë mjeko-ligjore dhe balistike, ashtu siç do të veprohej në çdo rast vrasjeje, për të përcaktuar shkakun dhe rrethanat e vdekjeve të viktimave. Ata gjithashtu duhet të provojnë se krimi ndodhi në kontekstin e një konflikti të armatosur në vazhdim, që është qartësisht rasti i Ukrainës.
Për të ngritur një çështje për krime ndaj njerëzimit, prokurorët gjithashtu duhet të përcaktojnë se krimet ishin pjesë e sulmeve të gjera dhe sistematike ndaj civilëve, duke demonstruar ngjashmëritë në mënyrat se si u vranë njerëzit në Butcha, Motyzhyn, Irpin dhe qytete të tjera.
Në vazhdim vjen detyra më e vështirë e përcaktimit se kush është përgjegjës, duke krijuar një zinxhir evidence që lidh skenat e krimit me udhëheqësit më të lartë civilë apo ushtarakë. Hallka e parë në këtë proces është shpesh të kuptohet se cilat forca ishin të pranishme kur ndodhnin mizoritë dhe kush i komandonte ato.
“Nëse doni të shqyrtoni zinxhirin e komandimit dhe autorët, është e rëndësishme të analizoni dhe të mblidhni informacion se cilat njësi gjendeshin aty”, thotë Andreas Schuller, drejtues i programit për Krimet Ndërkombëtare dhe Llogaridhënien në Qendrën Evropiane për të Drejtat Kushtetuese dhe të Njeriut në Berlin. “Ju nevojitet evidencë që ndërlidh të gjithë aparatin ushtarak. Mund të dalin dokumente sekrete, ose mund të flasin dëshmitarë që të zbulojnë planifikimin e brendshëm operacional”.
Ngritja e kësaj çështjeje deri në krye — për të mbajtur Putinin dhe udhëheqësit e tjerë individualisht përgjegjës për krimet e luftës ose krimet kundër njerëzimit — do të jetë e vështirë, thonë ekspertët ligjorë.