E diel, 1 Nëntor 2026 Film TV deri në 23:59 Në vijim ora 00:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Britania e Madhe afrohet me BE-në, firmosen disa marrëveshje! Starmer: Të largohemi nga debatet e vjetra

Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen janë pritur sot në Londër nga kryeministri britanik Keir Starmet.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, Costa  shpjegoi se  marrëveshjet e arritura sot janë të rëndesishme si për Mbretërinë e Bashkuar dhe Unionin.

“Marrëveshjet që kemi arritur sot shënojnë jo vetëm përparim, por edhe një kapitull të ri në marrëdhëniet midis Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së. Fillimin e një Partneriteti Strategjik të ripërtërirë dhe të forcuar”, tha ai.

Costa theksoi  se sëbashku do të punojnë në disa fusha si tregtia dhe emigracioni.

Reklamë

“Për sa i përket tregtisë, jemi të bashkuar në angazhimin tonë për stabilitet ekonomik. Ne të dy besojmë në tregtinë e lirë, të drejtë, të qëndrueshme dhe të hapur, si motori i prosperitetit – për qytetarët tanë dhe për ekonominë globale. Për sa i përket migracionit, do të punojmë së bashku për të zvogëluar flukset e parregullta dhe për të forcuar bashkëpunimin me vendet e origjinës dhe tranzitit”, u shpreh Costa.

Ndërkohë, Ursula von der Leyen theksoi se bashkëpunim do të ketë edhe për energjinë.

“Sot kemi vendosur të shqyrtojmë pjesëmarrjen e Mbretërisë së Bashkuar në tregun e energjisë elektrike të BE-së. Është mirë për stabilitetin e rrjedhave të energjisë. Është mirë për sigurinë tonë të përbashkët energjetike. Sepse e dimë që një treg më i madh do të jetë gjithashtu i mirë për uljen e çmimeve të energjisë dhe do të tërheqë më shumë investime private për shkak të stabilitetit rregullator dhe parashikueshmërisë. Ne duhet të shfrytëzojmë potencialin e gjerë që ofron Deti i Veriut, konkretisht për energjinë e rinovueshme, të lirë dhe vendase”, tha Ursula von der Leyen.

Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi këtë samit si nisjen e një fillimi të ri.

“Është koha të shohim përpara. Të largohemi nga debatet e vjetra dhe grindjet politike për të gjetur logjikë të shëndoshë dhe zgjidhje praktike që u japin më të mirën popullit britanik. Ne jemi të gatshëm të punojmë me partnerë nëse kjo do të thotë që mund të përmirësojmë jetën e njerëzve këtu në vend”, tha ai.

Konferenca e sotme erdhi në një moment të rëndësishëm për politikën europiane  dhe shënon përmirësimin e bashkëpunimit Britanisë dhe Bashkimit Europian.

/vizionplus.tv

Vazhdo të lexosh

Reklamë