Monedhat virtuale duket se janë kthyer në një nga format e investimit që po njeh rritje, por në vendin tonë ai është tërësisht në informalitet.
Edhe pse ka patur aksione për goditjen e tyre kryesisht në sektorët e call centerave, mbetet ende e paqartë madhësia e këtij tregu në vend, pasi pranë autoritet të mbikëqyrjes financiare nuk ka asnjë aplikim nga kompanitë për licencim.
Ky shqetësim u ngrit edhe nga deputeti socialist, Erion Braçe gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë ku kerkoi një monitorim më të mirë të tregut dhe luftë ndaj fenomenit të mashtrimit.
ERION BRAÇE
DEPUTET I PS
“Ju thoni që unë monitoroj dhe merrem vetëm me tregun legal, të ligjshëm. Por kur ky treg është thuajse zero dhe ndërkohë që tregu i zi në këtë fushë ka marrë përnasë, është bërë i madh dhe i prin paraja e krimit të organizuar, korrupsioni vjen më poshtë, ky duhet të përbëjë shqetësim për çdo institucion. Duhet të asistoni që ky fenomen të goditet.”
Por AMF-ja, autoriteti që meret me licencimet thotë se nuk është në tagrin e tij për të monitoruar tregun ilegal.
ERVIN METE
KRYETAR I AMF
“Ne nuk kemi tagër ligjor për të mbikëqyrur veprimtari të palicencuar. Kjo përbën vepër penale dhe kriminale dhe është tagër i organeve të tjera ligjzbatuese. Aktivitete mund të ketë jashtë licencimit, ne kemi referuar në prokurori dhe polici 3 subjekte për të cilat kemi pasur indicie dhe një të katërt që na është vënë në dijeni nga një autoritet i huaj rregullator.”
Monedhat virtuale janë një formë investimi me luhatje të fortë çmimi, ndërsa mundësia e pastrimit të parave por edhe mashtrimi i qyetarve është i lartë.





