Subscribe

Një ditë më parë Arben Ahmetaj hodhi idenë që të taksohen edhe ata individë me paga të vogla deri në 30 mijë lekë, por sot një ditë më pas, kreu i Komisionit të Ekonomisë sfidoi ministrin e financave për këtë nisëm.

 

“E sfidoj ministrin i cili bëri një propozim oral që ta konkretizojë në propozim ligjor dhe të shikojë a do të miratohet një nisëm e tillë”.

 

Për kreun e komisionit, kategoria e të punësuarve me paga të ulëta mbrohet në të gjithë botën dhe Shqipëria nuk mund të bëje përjashtim nga kjo politikë.

 

“Ky vend ka nevojë për punë, dhe në kushtet kur emigrimi ka njohur rritje, vendi ynë sfidohet nga çdo zanat i mundshëm nga vendet përreth ndaj pagat e ulëta dhe ato të mesme duhet të mbrohen nga taksat dhe tatimet”.

 

Përkundër refuzimit të Ahmetajt, komisioni duket i vendosur që të çojë propozimin e disa deputetëve të mazhorancës në parlament ku do të kërkohet që kufiri i pagave që nuk paguajnë tatim të rritet nga 30 në 40 mijë lekë.

 

“I qëndroj mendimi tim dhe jo vetëm edhe të disa deputetëve të mazhorancës që ti propozojmë parlamentit që kjo shtresë e të punësuarve të mbrohet duke rritur kufirin deri në 40 mijë lekë”.

 

Aktualisht numri i të punësuarve me pagë të deklaruar deri në 30 mijë lekë arrin në 388 mijë, një nivel ky i konsiderueshëm për ta bërë pjesë të skemës së taksimit. Sipas propozimit të ministrit tatimi për këtë kategori duhet të jetë 1.5%, por me sa duket ky propozim do të mbetet i tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *