Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka kritikuar qëndrimet e mbajtura gjatë kohës së pushtimit të Krimesë, pasi pretendon se nga aty i ka rrënjët lufta në Ukrainë.

 

Gjatë fjalës së saj në samitin virtual ‘Platforma e Krimesë’, Xhaçka përsëriti mbështetjen ndaj Ukrainës dhe e cilësoi luftën si të pakuptimtë.

 

“Një vit më parë përfaqësues nga vendet tona u mblodhën në Kiev për prezantimin e Platformës së Krimesë. Jam shumë e lumtur të shoh që sot, një vit më pas, numri i pjesëmarrësve si dhe niveli i përfaqësimit nga vende dhe organizata është rritur. Unë besoj se nuk është vetëm një deklaratë e qartë e mbështetjes për Ukrainën dhe dënimit pa mëdyshje të agresionit të paligjshëm të Rusisë kundër një vendi të pafajshëm, por edhe një njohje e qartë e faktit se gjithçka filloi me pushtimin e paligjshëm të Krimesë në 2014.

 

Lufta e tanishme, një luftë e pakuptimtë, kriminale që ka shkaktuar vuajtje dhe shkatërrime të tilla, i ka rrënjët në pushtimin e Krimesë dhe në faktin se në atë kohë bota nuk reagoi siç duhet ndaj asaj që ishte një shkelje flagrante e së drejtës ndërkombëtare, të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të gjithë rendit të bazuar në rregulla. Reagimi i botës ishte i butë. Çmimi që Rusia pagoi për veprimin e saj të paligjshëm ishte i tillë, saqë në vend që të shërbente si pengesë, shërbeu thjesht si inkurajim për luftën aktuale”, u shpreh ajo.

 

Më tej, ministrja theksoi se një nga arsyet se përse Shqipëria është rreshtuar krah Ukrainës, është për shkak të të drejtave ndërkombëtare, në Kartën e OKB-së.

 

“Por ka edhe një arsye tjetër, ndoshta edhe më të rëndësishme, pse Shqipëria mbështet Ukrainën dhe pse ne besojmë se çdo vend që beson në të drejtën ndërkombëtare, në Kartën e OKB-së, në rendin e bazuar në rregulla, duhet të mbështesë Ukrainën deri në çlirimin e të gjitha territoreve të pushtuara, rivendosjen e sovranitetit të saj mbi të gjitha territoret e pushtuara përkohësisht dhe tërheqjen e plotë të forcave ruse nga çdo pjesë e territorit të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës. Sepse duke mos e bërë këtë tani, do të rrezikohet i gjithë rendi i bazuar në rregullat ndërkombëtare, e gjithë arkitektura e sigurisë në të cilën ne të gjithë mbështetemi për paqen dhe stabilitetin në botë dhe do të inkurajonte çdo vend dhe lider autoritar në botë, që të ndërmarrë të njëjtat veprime si këto”, nënvizoi Xhaçka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *