Në 16 maj, e gjithë bota do t’i kthejë sytë nga Shqipëria u shpreh kryeministri Edi Rama në një video nga sheshi “Skënderbe”j, i cili po përgatitet të presë liderët e Europës në samitin më të rëndësishëm ndonjëherë të mbajtur në Tiranë.
“Këtu do të presim të gjithë ata që do të vijnë në kryeqytetin e Europës së Ballkanit. Nuk po zbuloj më shumë, por do të jetë një spektakël i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe e gjithë bota do të kthejë sytë nga Shqipëria, nga Tirana, nga sheshi i heroit tonë kombëtar”, tha Rama.
Më herët në një komunikim në rubrikën “Sy m’Sy”, Rama bëri apel për të votuar Partinë Socialiste si e vetmja forcë që do të afirmojë përkatësinë evropiane.
“Është shumë, shumë e rëndësishme çka të gjithë së bashku do të mbjellim në 11 maj, për të korrur më në fund atë, që e presim prej dekadash dhe prej shekujt, afrimimin e përkatësisë sonë europiane dhe ndryshimin e statusit tonë, si vend, si popull, si individ këtu në mes të Europës, ku me vendimin e 11 majit, me fuqinë e 11 majit, me mbylljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ne nuk do të jemi më thjeshtë europian me zakone, po edhe europian me ligj, nuk do të jemi europian të huaj për Europën, por do të jemi europian të barabartë me Europën”, tha kreu i qeverisë.
Rama kishte një mesazh edhe për shqiptarët e diasporës të cilëve u kërkoi të mos e lënë votimin për në ditën e fundit.
“Pavarësisht vështirësive të kompanisë, tani janë shpërndarë mbi 90 për qind e zarfeve. Në ishuj mbaron sot mundësia për të dërguar votën, në gadishull ka akoma disa ditë. Mos e lini për ditën e fundit. Hapeni zarfin, vini shënimin te numri 5”, tha Rama.
/vizionplus.tv





