Bosnja u bashkohet sanksioneve të BE-së kundër industrisë ushtarake ruse

Bosnja dhe Hercegovina i është bashkuar vendimit të Këshillit të Bashkimit Evropian (BE), me të cilin janë vendosur masa kufizuese ndaj 826 kompanive dhe 743 individëve të lidhur me kompleksin ushtarako-industrial rus, njoftoi më 3 nëntor Këshilli i bllokut evropian.
Krahas Bosnjës e Hercegovinës, vendimit i janë bashkuar edhe Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Ukraina.
Këto shtete janë zotuar se do t’i përshtatin politikat e tyre kombëtare me vendimin e Këshillit të BE-së, ndërsa BE-ja e ka mirëpritur angazhimin e tyre.
Bëhet fjalë për vendimin që Këshilli i BE-së e miratoi më 12 tetor 2026, kur në listën e sanksioneve u përfshinë gjithsej 1.569 persona dhe subjekte juridike.
Sipas Këshillit, ky është zgjerimi më i madh i vetëm i listës së personave dhe kompanive të sanksionuara që lidhen me industrinë ushtarake ruse, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës.
Paketa e tetorit përfshin 826 kompani ruse dhe 743 persona që drejtojnë këto kompani. Sipas arsyetimit të Këshillit të BE-së, kompanitë janë pjesë e kompleksit ushtarako-industrial rus, ndërsa personat janë përfshirë në listën e sanksioneve për shkak të mbështetjes që i japin këtij sektori.
Në mesin e kompanive janë furnizues të komponentëve për disa nga sistemet më të avancuara ushtarake të Rusisë, përfshirë raketat, dronët dhe avionët.
Bëhet fjalë, ndër të tjera, për prodhues të komponentëve elektronikë, gjysmëpërçuesve, mikroçipave, pajisjeve të komunikimit dhe radarëve, sistemeve të navigimit, eksplozivëve dhe municionit.
Sipas vlerësimit të Këshillit të BE-së, kompanitë e përfshira në këtë paketë sanksionesh realizojnë qarkullim vjetor prej të paktën 20 miliardë eurosh dhe punësojnë më shumë se 250.000 persona.
Sanksionet nënkuptojnë ngrirjen e aseteve të personave dhe subjekteve juridike të sanksionuara, ndalimin e vënies në dispozicion të fondeve dhe burimeve ekonomike për këta persona dhe kompani, si dhe ndalimin e udhëtimit në BE për personat fizikë që janë në listë.
BE-ja i ka arsyetuar masat e reja me vazhdimin e agresionit rus kundër Ukrainës dhe sulmet ndaj infrastrukturës civile. Ndër të tjera, synimi është që të kufizohet qasja e industrisë ushtarake ruse te furnizuesit dhe komponentët e nevojshëm për prodhimin e armëve.
Vendimi i 12 tetorit është pjesë e regjimit më të gjerë të sanksioneve evropiane, të vendosura pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe të zgjeruara më shumë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Përafrimi i Bosnjës e Hercegovinës me këtë vendim është pjesë e bashkëpunimit të saj me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së./ REL




