Ministrat e Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian po takohen në Bruksel me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, për të diskutuar për një sërë çështjesh.
Fokusi do të jetë tek situata e sigurisë në rajon dhe bashkëpunimi mes bllokut dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përpara takimit, shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell theksoi se takimi tregon rëndësinë që ka rajoni për unionin.
“Do të diskutohen propozimet e Komisionit Europian për paketën e zgjerimit si dhe përshtatje vendeve të Ballkanit me politikën e jashtme të BE. Kjo pasi disa vende nuk po dëshmojnë përshtatje me politikën tonë dhe me sanksionet”.
Takimi zhvillohet disa ditë pasi Komisioni Evropian miratoi dhe publikoi paketën e zgjerimit dhe raportet e progresit.
Në to vlerësohet bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve të shteteve të rajonit me BE-në. Serbia dhe Bosnje Hercegovina janë dy vendet që kanë nivel mjaft të ulët të përshtatjes me qëndrimet e Bashkimit Europian. Këto dy shtete kanë refuzuar edhe disa nga sanksionet e vendosura ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë.





