Ish kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta në drejtim të Qeverisë, dhe bordeve që vendosin për çmimet.

 

Berisha i ka cilësuar bordet, si mekanizma gjakpirës. Sipas tij, vetëm nga TVSH-ja, pas rritjes së çmimeve, Qeveria ka përfituar 340 milionë euro.

 

“Bordet janë mekanizëm gjakpirës të cilët rrisin çmimet jashtë çdo lloj llogjike tregu. Dy ditë më parë, nafta në bursë ishte 108 dollarë për fuçi. Ndërsa në tregun shqiptar është shitur mbi 260 lekë. Një muaj më parë, kur fuçia e naftës ka qënë po 108 dollarë, nafta në tregun shqiptarë ishte 220 lekë. Bordet janë bërë zëdhënëse të një shfrytëzimi të egër të qytetarëve shqiptarë.

 

Nuk ka asnjë mundësi dhe arsye tjetër, që kokrra e vezës, litra e qumështit, kilogrami i djathit, që gjysmën e bëjnë me qumësht pluhur, të kushtojë në Shqipëri 107% të mesatares së Bashkimit Europian. Kush e bën këtë? Këtë e bën bordi. Dhe këto që ju them janë statistika zyrtare të institutit që kontrollohet nga Edi Rama. Si mundet që nafta në Shqipëri të ketë çmim pothuajse si në Finlandë, Norvegji dhe Zvicër, kur rrogat janë 10 herë më të ulëta, e në një kohë që Zvicra nuk nxjerr asnjë ton naftë në vit, ndërsa Shqipëria po.

 

Qytetarëve shqiptarë po iu ngushtohet laku që iu ka vendosur Edi Rama me çmimet. Të dhëna shumë të qarta, të sakta, kanë treguar se vetëm nga TVSH-ja e çmimeve të rritura, Qeveria ka përfituar 340 milionë euro. Dhe jo që nuk ua ka kthyer qytetarëve për lehtësim gjysmën e tyre, por ka ulur me 2% ndihmën ekonomike për familjet në nevojë. Pra, kemi të bëjmë me një Qeveria, e cila nuk ka asnjë moral. Dhe që merr çdo vendim, sikur ky popull nuk ushqehet, nuk vishet, nuk lëviz.”-tha Berisha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *