Boçi replika me OSBE: Metodat e protestuesve i përdorin gjithnjë tifozeritë

Luçiano Boçi, ish-deputeti i PD që dogji mandatin së bashku me pjesën tjetër të opozitës, ka replikuar ndaj OSBE në lidhje me protestën e të martës para Parlamentit ku pati dhe një përplasje mes policisë dhe protestuesve.
Në një postim në “Facebook”, Boçi duke u ndalur tek reagimi I OSBE për protestën e të martës, shprehet se metodat që ndoqën dje protestuesit e opozitës janë mëse normale pasi përdoren dhe nga tifozeritë në stadium.
Në kuadër të kësaj deklarate, Boçi I ka bërë disa pyetje OSBE-së dhe I ka kërkuar që t’u japë përgjigje me argumentin se ku gabuan protestuesit.
“Dje misioni i nderuar i OSBE-së “shpërtheu” kundër protestuesve. Madje duke legjitimuar e kërkuar dhunë më të spikatur nga policia. Metodat e protestuesve që dogjën një gomë, hodhën tymuese nga ato që tifozeritë i përdorin në stadiume kudo në europë e që plasën kapsolla argëtuese nga ato që zhurmojnë çdo vit të ri, përfaqësuesit e lartë të OSBE i etiketuan jo demokratike. Shumë mirë për ta. Por disa pyetje fare të thjeshta kam për OSBE-në tonë demokratike. Po cilat metoda quani demokratike ju? Helmimin e protestuesve të pambrojtur me asnjë mjet, qoftë ky dhe rrethanor?! Gazin kundër grave e fëmijëve?! Apo goditjen me shenjestër të liderit të opozitës?! Aaaaa po! Demokratike mos vallë na qenka për ju, shitblera e votës, e pranuar zyrtarisht nga ju?! Ndoshta demokratike për ju, është përdorimi i grupeve kriminale në zgjedhje?! Përdorimin e policisë që helmon në zgjedhje?! Apo kanabizimin, nëpërmjet policisë dhe ministrit, të vendit?! Me siguri demokratike, ju konsideroni shembjen e 150 shtëpiave me një plan korruptiv hajtudërie unikale, sipas parimit 1 km = 20 milion euro?! Demokratike vallë quani mungesën e institucioneve, si Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e lartë, apo Prokurorin e përkohshëm me 69 vota?! Kë pra quani demokratike?! Grabitjen me ligj të njerëzve?! Shembjen e trashëgimisë kulturore për kulla?! VKM-të mashtruese të një Kryemashtruesi?! Demokratik, me siguri për ju është parlamenti i mbushur dingas me kriminelë e deputetë fiktivë?! p.s. Që t’i jepni përgjigje këtyre pyetjeve sa më shpejtë e në mënyrë sa më “argëtuese”, po jua paraqes sipas shijes suaj, në formën e një fjalëkryqi.”




