Këngëtari dhe autori i teksteve Bob Dylan është fituesi i çmimit ‘Nobel’ në Letërsi për 2016-ën. Amerikani 75-vjeçar është vlerësuar nga akademia suedeze për krijimin e shprehive të reja poetike në muzikën tradicionale amerikane që ai përcjell. Edhe pse emri i tij ka nisur të lakohet në akademinë e ‘Nobelit’ që prej vitit 2004, për artistin ky vlerësim ka ardhur i papritur, edhe për vetë natyrën e çmimit ‘Nobel’, që asnjëherë më parë nuk i është akorduar një artisti të njohur më shumë si muzikant se sa si shkrimtar. Si artist, Dilani ka prodhuar me qindra këngë, ka regjistruar rreth 45 albume ku përfshihen pothuajse të gjitha gjinitë muzikore tradicionale amerikane, qysh nga ajo Folk – u, Blues – i dhe Country, për të vazhduar me Rok And Roll – in, muzikën Gospel, madje është shtrirë deri tek Jazz – i dhe Swing – u. Përgjatë gjithë kësaj karriere, Dilani ka fituar çmimet ‘Oscar’ në ‘Academy Awards’, është pranuar në Rock and Roll Hall of Fame, madje i është dhënë edhe çmimi ‘Kennedy Center Honir’ në vitin 1997. Ky është çmimi i 12-të që shkon për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që gjithsesi mbeten të dytët në listën e ‘Nobelit’, pasi Franca numëron 15 çmime te tilla. ‘Nobeli’ në Letërsi ishte i fundit i ndarë nga akademia suedeze për 2016-ën. Fituesi i ‘Nobelit’ të paqes së bashku me ato të Mjekësisë, Fizikës, Kimisë dhe Letërsisë do të bëhen bashkë në 10 dhjetor në ceremoninë që do zhvillohet në nderim të tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *