Bllokimi i sistemit për bizneset, sipërmarrësi: Shqipëria ndërton, por nuk mirëmban

Prej më shumë se dy javësh bizneset kanë hasur vështirësi në kryerjen e punëve të përditshme, pasi platforma kryesore që njihet me emrin “SelfCare” është e bllokuar.
Autoritetet nuk kanë dhënë një shpjegim të kësaj situate. Ndërsa bizneset janë vënë në vështirësi serioze. Disa nga efektet e bllokimit të kësaj platforme lidhen me vonesa në faturim, arkëtim, dëmtim i besimit të sistemit të fiskalizimit.

Ardian Sheh,u sipërmarrës në fushën e teknologjisë, i ftuar në emisioni “E-ZONE” tha se situata e krijuar ishte një anomali, pasi sistemi u fik fare.
“Në vitet e fundit nuk kanë munguar investimet në teknologji. Janë bërë hapa para në këtë drejtim. Por ka një problem të madh. Qeveria ndërton, por nuk mirëmban. E gjithë kjo situatë vjen nga mos mirëmbajtja në kohë e sistemeve. Fajin ne ende nuk e dimë se kush e ka, por në momentin që ndërtohen sisteme të tilla digjitale duhen shoqëruar edhe njerëz profesionalë, pasi këtë situatë që kemi përjetuar këto ditë e ka zanafillën te faji njerëzor dhe te mënyra e organizimit”, tha Shehu në Vizion Plus.
Sipas Shehut këto platforma janë pjesë e asaj që quhet infrastruktura kritike e vendit.
“Kur flasim për infrastrukturë kritike, flasim që ajo duhet të jetë funksionale, duhet të jetë e besueshme si dhe duhet të jetë e sigurt. Të tre këta faktorë janë fondamentalë, të cilët janë vënë në pikëpyetje me bllokimin për ditë të tëra të sistemeve”, tha Shehu.
Sipas sipërmarrësit Ardian Shehu, adresimi i problemit duhet të fokusohet tek menaxhimi i sistemeve nga njerëzit e duhur dhe profesionistë.
/vizionplus.tv




