Ministrat e Jashtëm të Presidencës trio të këshillit në BE, Heiko Maas, Augusto Santos Silva dhe Anže Logar kanë deklaruar se bllokada aktuale në negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut po minon besueshmërinë e unionit dhe bie ndesh me interesin strategjik që Bashkimi Europian ka në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

 

 

Në një deklaratë të përbashkët, ministri gjerman, ai portugez dhe slloven shprehen më tej se çështjet bilaterale nuk duhet të pengojnë kurrsesi progresin në një hap të një rëndësie kaq themelore.

 

“Procesi i zgjerimit dhe perspektivave e anëtarësimit në BE është pikërisht ajo çka ofron kuadrin më të mirë të mundshëm për tejkalimin e pikëpamjeve divergjente mes të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor. Prandaj, ne do të vazhdojmë të punojmë fort dhe do të bëjmë thirrje për tejkalimin e shpejtë të bllokadës aktuale, e cila po minon besueshmërinë e BE-së dhe bie ndesh me interesin strategjik qe ne kemi për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.”

 

Në deklaratë thuhet gjithashtu se autoritetet dhe të gjitha partitë politike në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri nevojitet të vijojnë me reformat dhe të vazhdojnë përpjekjet e tyre për forcimin e demokracisë, luftës kundër korrupsionit dhe të forcojnë sundimin e ligjit, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, duke përmirësuar njëkohësisht klimën për lirinë e medias dhe shoqërinë civile.

 

 

“Ne jemi të vetëdijshëm se procesi i zgjerimit është tejet kërkues dhe i mundimshëm. Rrugëtimi i vetë Portugalisë dhe Sllovenisë drejt BE-së është një dëshmi e kësaj. Zgjerimi nuk ka për qëllim vetëm krijimin e një unioni më të fuqishëm  por edhe krijimin e institucioneve më demokratike, më të drejta dhe transparente, duke u ofruar njerëzve më shumë mundësi dhe standarde më të mira jetese.”

 

 

Ndërkohë, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski e argumenton si shtirje qëndrimin bullgar. Sipas tij derisa Bullgaria të formojë një qeveri politike pas zgjedhjeve të korrikut, nuk mund të ketë fare bisedime për vijat e kuqe mes vendeve. Shkupi nuk pranon që identiteti të vihet në pikëpyetje ndërsa integrimi nuk mund të mbetet peng i mosmarrëveshjeve dy palëshe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *