Rritja e çmimeve të produkteve të shportës dhe karburantit bëri që edhe në qytete të tjera të vendit qytetarët të ngrihen në protestë. Dhjetëra qytetare bllokuan rrugën e Kombit duke ndaluar qarkullimin e automjeteve.

 

Edhe Rruga e Arbrit u bllokua nga shoferët e makinave, të cilët fikën mjetet në shenjë revolte.

 

Me pankarta në duar u shfaqën edhe protestuesit në qytetin bregdetar të Durrësit. Për rreth dy orë qytetarët  u mblodhën pranë stacionit të trenit, duke bllokuar rrugën, e më pas vijuan edhe me bllokimin e autostradës Tiranë-Durrës.

 

Marshim kundër rritjes se çmimeve pati dhe në Lushnje, aty ku shumë qytetarë bllokuan qarkullimin në rrethrrotullimin e Plugut. Gjatë protestës nuk munguan as përplasjet mes protestuesve dhe uniformave blu, të cilët tentuan të lironin rrugën.

 

Edhe në Devoll dhe Bilisht një grup të rinjsh protestuan  me pankarta në duar duke  kërkuar nga autoritetet që të marrin masa të menjëhershme për përballimin e krizës.

 

Ndërsa në Tepelenë dhe Sarandë protestuesit të indinjuar me qeverinë kërkuan reagimin e saj ne një kohë kur çmimi i karburanteve ka kapur një shifër të papërballueshme duke paralajmëruar se do të grumbullohen përsëri për të protestuar nesër në orën 17:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *