“Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se Rusia ka zgjedhur rrugën e gabuar në lidhje me përshkallëzimin e tensioneve në kufi me Ukrainën”, kështu u shpreh Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken në Konferenën e Sigurisë në Mynih,  duke shtuar se gjatë ditëve të fundit Moska ka shtuar numrin e trupave ushtarake.

 

ANTONY BLINKEN

SEKRETAR I SHTETIT, SHBA

“Rusia ka vendosur trupa shtesë pranë Ukrainës fqinje, duke përfshirë forcat kryesore që do të ishin pjesë e çdo agresioni. Ngjarjet e fundit janë pjesë e një skenari që tashmë  Moska po e vë në zbatim. Kremlini po kërkon një pretekst për pushtim. Edhe pse ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që këtë konflikt të zgjidhet përmes dialogut, përmes diplomacisë.”

 

Ndërkohë, ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Ana Baerbock, deklaroi se Berlini është i gatshëm të paguajë një çmim të lartë ekonomik nëse do të jetë i nevojshëm.

 

Zyrtarja gjermane u shpreh se po përgatiten sanksione të mëdha ndaj Rusisë, të cilat mund të ndikojnë edhe te gazsjellësi “Nord Stream 2”.

 

ANA BAERBOCK

MINISTRJA E JASHTME E GJERMANISË

“Ne jemi të vendosur në lidhje me masat që po përgatisim në rast se Rusia sulmon kundër Ukrainës. Këto do të jenë të koordinuara me të gjithë partnerët. Ne gjermanët jemi të përgatitur për të paguar një çmim të lartë ekonomik nëse sanksionet ndaj Rusisë janë të nevojshme. Kjo përfshin edhe gazsjellësin ‘Nord Stream 2’.”

 

Më herët, gjatë ditës, diplomati gjerman Volfgang Ishinger hapi Konferencën e Sigurisë së Mynihut për këtë vit, një organizim treditor ku marrin pjesë më shumë se 30 krerë shtetesh, politikanë dhe ekspertë.

 

Për herë të parë prej tre dekadash, Rusia nuk ka dërguar asnjë delegacion pjesmarrës në konferencë. Fjalimet kryesore në tre ditët e ardhshme do të mbahen nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

 

Edhe kryeministri Edi Rama dhe të tjerë zyrtarë të lartë në rajon, i janë bashkuar konferencës së sigurisë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *