Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dënoi ashpër Rusinë, duke e akuzuar atë për akte mizorie në Ukrainë, ndërsa bota pa pamjen e parë të trupave të ukrainasve të vdekur, të hedhur në rrugët e Buças, një qytet vetëm pak kilometra larg Kievit. Trupat u gjetën pasi forcat ruse u larguan nga zona.

 

“Nuk mund të mos ndjeni dhimbje”, tha diplomati më i lartë amerikan për rrjetin televiziv CNN. “Ne nuk mund ta normalizojmë këtë gjë”, shtoi ai.

 

Zoti Blinken tha se Shtetet e Bashkuara do të shohin me vëmendje për të dokumentuar krimet e luftës të kryera nga Rusia në të gjithë Ukrainën dhe shtoi se autorët e vrasjeve, duhet të mbahen përgjegjës. Tashmë Kievi pretendon se ka rimarrë kontrollin e rajonit veriqendror rreth kryeqytetit.

 

Po sot (e dielë) Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy akuzoi Rusinë për gjenocid në vendin e tij, ndërsa udhëheqësit perëndimorë dënuan imazhet ku shfaqeshin civilë ukrainas të vdekur.

 

“Ky në të vërtetë është gjenocid. Eliminim i të gjithë kombit dhe popullit”, tha zoti Zelenskiy në rrjetin televiziv amerikan CBS.

 

“Ne jemi qytetarë të Ukrainës dhe nuk duam të nënshtrohemi ndaj politikës së Federatës Ruse. Kjo është arsyeja që ne po shkatërrohemi dhe po shfarosemi”, shtoi ai.

 

Deklaratat e zotit Zelenskiy erdhën një ditë pasi forcat ukrainase u zhvendosën në qytetin Buça afër Kievit dhe gjetën ato që zyrtarët dhe dëshmitarët thanë se ishin trupa civilësh të vrarë nga forcat ushtarake ruse. Ministria ruse e Mbrojtjes i hodhi poshtë akuzat, duke thënë se pamjet dhe fotografitë që tregojnë trupat e pajetë në Buça ishin një tjetër provokim nga Kievi.

 

Organizata “Human Rights Watch” bëri të ditur të dielën se kishte dokumentuar disa raste të forcave ushtarake ruse që kryenin shkelje të ligjeve të luftës në rajonet e kontrolluara nga Rusia në Çernihiv, Kharkiv dhe Kiev.

 

I pyetur nëse Presidenti rus Vladimir Putin do të mbahet përgjegjës, zoti Zelenskiy tha:

 

“Mendoj se të gjithë komandantët ushtarakë, të gjithë ata që kanë dhënë udhëzime e urdhra duhet të ndëshkohen në mënyrë adekuate”, tha ai.

 

I pyetur se çfarë do të përbënte një dënim adekuat ai shtoi: “Kur gjej njerëz me duar të lidhura pas shpine e kokë të prerë.. nuk e di se cili ligj apo çfarë afati burgimi do të ishte adekuat për një gjë të tillë”.

 

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i quajti vrasjet në Buça një brutalitet të pashembullt në Evropë që nuk është parë prej dekadash. Kryetari i bashkisë së Buças bëri të ditur të shtunën se gjatë sulmit njëmujor ushtria ruse kishte vrarë 300 banorë. Viktimat ndodheshin në një varr masiv e të hedhur në rrugë.

 

Rusia ka mohuar më parë se ka vendosur në objektiv civilët dhe ka hedhur poshtë akuzat për krime lufte gjatë kryerjes së atij që e quan, operacion special ushtarak.

 

Ndërkohë autoritetet ukrainase njoftuan të shtunën se forcat e saj kishin në zotërim të gjitha zonat përreth kryeqytetit, duke rimarrë kontrollin e plotë të rajonit për herë të parë që kur Rusia nisi sulmin më 24 shkurt.

 

Zyrtarët amerikanë dhe ata perëndimorë të mbrojtjes dhe të zbulimit kanë paralajmëruar se Moska po ripozicionon forcat për t’u përqëndruar në rajonin lindor Donbas. Sipas agjensisë së lajmeve Reuters, Ukraina ka rimarrë mbi 30 qytete dhe fshatra përreth Kievit.

 

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy tha se Rusia ka lënë pas në Kiev dhe në rrethina një shkatërrim të plotë dhe një territor të mbushur me mina. Zëdhënësi i tij thotë se janë gjetur gjithashtu edhe varre masive.

 

“Është vërtet e vështirë të përshkruhet se çfarë u gjet në territoret e çliruara, si në Buça, Hostomel dhe Irpin. Pamje pikëlluese. Gjetëm varre masive të mbushura me civilë; njerëz me duar dhe këmbë të lidhura, dhe të ekzekutuar me plumb pas koke. Ishin qartësisht civilë të ekzekutuar…”, thotë Sergii Nykyforov, zëdhënës i presidentit ukrainas.

 

Zyrtarët ukrainas po sensibilizojnë opinionin ndërkombëtar për veprimet e forcave ruse.

 

“Patëm takim edhe me (Presidentin francez) Macron. Ishim katër anëtare të parlamentit dhe kryebashkiaku i Melitopolit, i cili u kap dhe u mbajt peng për gjashtë ditë, derisa u shkëmbye me nëntë ushtarë rusë. Ai rrëfeu eksperiencën e tij, se si u trajtua dhe se si e detyruan të jepte dorëheqjen nga detyra. Mendoj se ishte e rëndësishme që presidenti francez ta dëgjonte jo nëpërmjet Zoom-it, por drejtpërsëdrejti nga dikush që ishte vetë atje vetëm dy ditë më parë”, thotë ligjvënësja ukrainase Alona Shkrum.

 

Kryenegociatori ukrainas ka sinjalizuar se ekziston megjithatë ende mundësia për bisedime mes Presidentit ukrainas Zelenskyy dhe atij rus Putin, pasi negociatorët ranë dakort për një tekst fillestar të marrrëveshjes gjatë bisedimeve në Stamboll.

 

Ndërkaq, banorët në qytetin e rrethuar Mariupol vazhdonin të prisnin të dielën për autokolonën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar e cila sjell ndihma e ofron mundësi evakuimi për ta. Sipas agjensisë së lajmeve Associated Press, rreth 100 mijë persona janë bllokuar në qytetin e rrethuar nga forcat ruse për më shumë se një muaj./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *