Luhet sot në mbrëmje nën masa të rrepta sigurie takimi Tirana-Crvena Zvezvda, e vlefshme për turin e dytë kualifikues në Ligën e Kmapioneve.

Takimi do të luhet në orën 20:00 në stadiumin e ri kombëtar.

Të dyja skuadrat luajnë për kualifikim pavarësisht se serbët shihen si favoritë kryesorë për të kaluar më tej.

Deklaratat e trajnerëve

Emanuel Egbo: Kemi shanse të barabarta

Trajneri i Tiranës, foli dje në konferencën për shtyp para gazetarëve, për përballjen ku nigeriani u shpreh optimist duke thënë se shanset janë të barabarta për sa i përket kualifikimit.

“Shpresoj të marrim rezultatin e duhur ndaj Crvena Zvezdës. Kur e kam thënë që do të synojmë grupet, nuk i kam menduar çfarë skuadre kemi përballë. Do të tentojmë me të gjitha mundësitë. Do të futemi në fushë dhe do të japim maksimumet. Do të marrim rezultatet që na takojnë.  Ndeshja varet nga ne, në qoftë se futemi në fushë dhe japim maksimumin”.

Dejan Stankovic: Tirana kundërshtar i denjë

“Ne kemi një ekip që adapton shpejt. Duhet të kemi durim dhe të kërkojmë fitoren. Unë kam ardhur të luaj futboll dhe asgjë tjetër, gjërat e tjera nuk më interesojnë.

Në qoftë se unë do ta mendoj që bota do të ndalojë po ta humbas këtë ndeshjen, atëherë do ta quaja të humbur. Por futboll është luajtur edhe para kësaj ndeshje dhe do të vazhdojë të luhet. Më vjen keq për të gjithë që nuk kemi tifozë. Janë pjesë e madhe e futbollit. Shpresoj që sa më shpejt t’i rikthemi normalitetit.

Fakti që është një ndeshje ka ndikim. Ne kemi studiuar kundërshtarin, përgatitemi emocionalisht. Shpresoj që jemi përgatitur në momentin e duhur.

Është fakt që do të luajmë me Tiranën, nuk kam hapësira që të zgjedh. Mendoj që di mjaftueshëm për Tiranën. Është ekip i ri i organizuar. Kundërshtar i denjë shumë i mire”.

Mbërritja e ekipit serb

Ekipi serb, Crvena Zvezda, mbërriti dje nën masa të rrepta sigurie para ndeshjes së turit të dytë kualifikues.

Delegacioni i skuadrës serbe përbëhet nga rreth 50 persona.

Mes tyre ka edhe një kuzhinier, i cili do të ketë detyrën për të kontrolluar ushqimet.

Ata ndryshe nga çfarë ishte paralajmëruar nuk do të sillen nga Beogradi, por do të kontrollohen nga një ekip i specializuar i kuzhinierëve dhe mjekëve serbë, në hotelin e rezervuar të Tiranës.

Në kryeqytetin e Shqipërisë, futbollistët, anëtarët e stafit si dhe drejtuesit e klubit serb kanë një kat të veçantë në hotel, sikurse është rezervuar një ashensor, i cili do të jetë në dispozicion vetëm për skuadrën e tyre, si dhe një kuzhinë ngrënie enkas për ta.

Për të mos patur ndonjë surprizë të pakëndshme, klubi serb ka kërkuar që të testohen për COVID-19 edhe shoferët shqiptarë që do t’i transportojnë drejt hotelit.

Lojtarët serbë nuk lejohen të dalin nga hoteli në bazë të protokollit të UEFA-s për të evituar infektimin nga covid-19.

Masat e rrepta nga Policia e Tiranës

Policia e Tiranës ka publikuar edhe masat që do të ndërmarrë për mbarëvajtjen e këtij takimi.

Në kuadër të këtyre masave të parashikuara Policia e Tiranës informon qytetarët e Tiranës se:

• Do të lejohen të futen në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”. Nëse do të konstatohen shkelje të protokollit do të ndërhyjë dhe do të vendosen masa administrative sipas aktit normativ ndaj të gjithë personave përgjegjes.

• Nuk do lejohen grumbullime të tifozëve në sheshe apo në ambientet përreth. Në rast grumbullimi Policia do të ndërhyjë për shpërndarjen e tyre.

Gjithashtu do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, në të cilat nuk do lejohen të lëvizin as mjetet dhe as këmbësorët.

Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 18:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:

– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete si edhe levizjen me këmbë në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19./VIZION PLUS/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *