Pas takimit kokë më kokë Hajnaj pati me ambasadoren Yuri Kim dhe kreun e SPAK, BKH hapi garën për hetues. Ata do të jenë përgjegjës për hetimet që do të kryejnë nën udhrat e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion dhe kanë statusin e Oficerit të Policisë Gjyqësore.

 

Në garën e hapur në faqen zyrtare specifikohet se kandidatët duhet të kenë eksperiencë në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar si edhe në ekonomik, teknologji e informacion.

 

“Sistemi i përzgjedhjes së hetuesve të BKH-së është një proces sfidues mendor dhe fizik, i përgatitur për të gjetur kandidatët më të aftë dhe me integritet”, thuhet më tej në njoftimin për hapjen e garës.

 

Të interesuarit duhet të dorëzojnë aplikimin përmes emailit zyrtar të BKH deri në datën 29 shtator 2020.

 

Kushtet dhe dokumentet për të interesuarit:

 

Për të aplikuar për pozicionin e hetuesit të BKH, kandidatët duhet të plotësojnë të gjitha kriteret e përcaktuara në nenin 6 dhe nenin 38 të Ligjit nr.95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”(Ligji Nr.95/2016), si dhe do të dorëzojnë dokumentat e paraqitura më poshtë:

  1. a) Vërtetim zyrtar që vërteton vlerësimet për aftësitë e tij /saj profesionale, etike dhe integritetin moral;
  2. b) Vërtetim zyrtar që vërteton se ndaj tij/asaj nuk është marrë masa disiplinore e “shkarkimit nga detyra”, ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi sipas legjislacionit në momentin e aplikimit;
  3. c) Një deklaratë për mungesën e konfliktit të interesit, që do të pohojë se kandidati nuk është palë ose përfaqësues ligjor në çështje që janë objekt hetimi nga BKH dhe Prokuroria e Posaçme si edhe nuk ka asnjë konflikt interesi, i cili do ta bënte të pamundur angazhimin e kandidatit në pozicionin e hetuesit.

Kandidatët që plotësojnë e kriteret sipërcituara do t`iu nënshtrohen fazave të mëtejshme të konkurimit.

 

Fazat e përzgjedhjes

Nëse vlerësohen si kandidatë të mundshëm, aplikantët do t’i nënshtrohen procesit të mëposhtëm të përzgjedhjes ( Testimet e përzgjedhjes):

  1. a) Provim me shkrim per të arsyetuarit logjik;
  2. b) Testim i aftësive fizike që mat forcën dhe rezistencën fizike (para këtij testimi fizik kandidati duhet të ketë me vete një Raport Mjekësor për Aftësisë Fizike të lëshuar nga specialisti kardiolog);
  3. c) Një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si edhe nivelin e shkrimit dhe të leximit;
  4. d) Intervistë nga Komisioni i Përzgjedhjes në Prokurorinë e Posaçme që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë e aplikantit për të komunikuar idetë me efiçencë; Kandidatët që do të kualifikohen për në fazën e intervistës do tu kërkohet të dorëzojnë dokumentat në lidhje me procesin e verifikimit dhe do ti nënshtrohen testit të Poligrafit;
  5. e) Në një fazë të mëvonshme, kandidati i nështrohet procesit të verifikimit nga Komisioni i Posaçëm i Verifikimit të Pasurisë dhe Figurës së Kandidatëve;
  6. f) Një vlerësim i plotë mjekësor që vërteton që aplikantët plotësojnë standartet e duhura shëndetësore për të përmbushur nevojat e punës;

Procesi i verifikimit

Vetëm kandidatët që do të kualifikohen për në fazën e intervistës do tu kërkohet të dorëzojnë dokumentat në lidhje me procesin e verifikimit, si më poshtë:

  1. a) Kandidatët do të plotësojnë dhe do të dorëzojnë deklaratat për pasurinë dhe konfliktit të interesit në përputhje me ligjin ;
  2. b) Kandidatët do të plotësojnë Pyetësorin e Sigurisë dhe do ta dorëzojnë në përputhje me ligjin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *