Një hap i rëndësishëm drejt rikthimit të dialogut mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është bërë këtë javë në Romë, ku përfaqësuesit e të dy vendeve zhvilluan raundin e pestë të bisedimeve për çështjen bërthamore.
Negociatat, të cilat u ndërmjetësuan nga Omani në rezidencën e ambasadorit të këtij vendi në Itali, përfunduan pas rreth dy orësh.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha se ka mundësi për përparim në bisedime, pasi Omani paraqiti disa propozime.
“Sapo kemi përfunduar një nga raundet më profesionale të bisedimeve… Ne e shprehëm qartë qëndrimin e Iranit… Fakti që tani jemi në një rrugë të arsyeshme, sipas mendimit tim, është vetë një shenjë përparimi. Propozimet dhe zgjidhjet do të shqyrtohen në kryeqytetet përkatëse… dhe raundi i ardhshëm i bisedimeve do të përcaktohet në përputhje me to”, tha ministri i Jashtëm i Iranit.
Një zyrtar i lartë amerikan, që nuk u identifikua, tha se bisedimet ishin si të drejtpërdrejta, ashtu edhe të tërthorta përmes ndërmjetësve nga Omani, por theksoi se ka ende punë për tu bërë.
Ndërkohë ministria e Jashtme e Omanit theksoi në një deklaratë se do të ketë sërish një takim në ditët në vijim.
“Shpresojmë të sqarojmë çështjet e mbetura në ditët në vijim, në mënyrë që të ecim përpara drejt një qëllimi të përbashkët për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme dhe të ndershme”, tha ministria.
Sakaq, sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA-të janë të gatshme të pranojnë një program civil energjetik për Iranin, por jo me të drejtë për pasurim me uranium, një kompromis që sipas tij nuk do të jetë i lehtë. Pengesa kryesore është pasurimi i uraniumit nga Irani. Shtetet e Bashkuara këmbëngulin se Teherani duhet të heqë dorë nga programi bërthamor për të arritur marrëveshje, në mënyrë që të mos e përdorë atë për zhvillimin e bombave atomike.





