Atletiko Bilbao konfirmohet skuadër e kupës së mbretit në Spanjë.

Baskët mundën Barcelonën 4 me 2 pas një ndeshje spektakolare e cila zgjati 120 minuta.

Skuadra e Xavit u dorëzua para dy vëllezërve Injaki dhe Niko Williams, të cilët vendosën  kualifikimin e Bilbaos për në gjysmëfinalen e kupës, me golat e shënuar në shtesa.

Nisje shokuese e ndeshjes për katalanasit që u gjenden në disavantazh pas vetëm 36 sekondash loje falë golit të shënuar nga Guruzeta.

E megjithatë Barcelona gjen forca për të bërë një përmbysje të bukur në pjesën e parë. Levandovski fillimisht në minutën e  26 barazon shifrat dhe 6 minuta më vonë talenti katalanas, 16-vjeçari Lamine Xhamal me një aksion të bukur personal shënon edhe golin e dytë.

Nisja e pjesës së dytë ishte fotokopje e së parës për Bilbaon që arrin të barazojë shifrat falë një goli me kokë të Sancet.

Niko Willimas , lojtar  kombëtares spanjolle ishte i papërmbajtshëm tek vendasit, të cilët ushtrojnë presion për të fituar takimin, ndonëse rastin më të mirë deri në fund e krijojnë katalanasit, por adoleshenti Xhamal gabon një rast të pabesueshëm.

Ndeshja shkon në shtesë dhe aty hero për baskët bëhet Inaki Willimas, vëllai i Niko Wllimas i cili ndryshe nga vëllai i tij ka zgjedhur të luajë për Ganen.

I kthyer pikërisht nga Kupa e Afrikës pak para kësaj sfide, ai shënon golin e tretë për Bilbaon në minutën e 106, ndërsa në frymën e fundit vëllai i tij Niko shënon edhe golin e katërt duke i dhënë jetë një feste të madhe në San Mames.

Bilbao ecën përpara në një trofe të cilin e ka fituar 23 herë.  Në gjysmëfinale u kualifikua edhe Majorka që eliminoi kryesuesit e La Ligës, befasinë Girona. Skuadra e Muriqit shkoi deri në shifrat 3 me 0 falë Larin dhe dygolëshit të Abdon Prats.

Stuani e Savio provuan të kthenin ndeshjen, por kjo nuk mjaftoi./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *