Izraeli ka vazhduar pandërprerë bombardimet në Gaza gjatë natës në disa vendndodhje të ndryshme.
Ushtria izraelite tha sot në mëngjes se avionët e saj luftarakë goditën më shumë se 200 objektiva në Gaza, të cilat besohet se janë shfrytëzuar nga Hamasi për të nisur sulmet e papritura ndaj Izraelit në fundjavë.
Bombardime të fuqishme ka patur edhe përgjatë kufirit blu me Libanin Jugor.
Ushtria ka bërë të ditur se ka nisur sulmet në territorin libanez në përgjigje të një rakete antitank që tentoi të godiste një post ushtarak izraelit gjatë orëve të mëngjesit.
Ndërkohë numri i viktimave të konfliktit nga të dyja palët i ka kaluar 2100
Autoritetet shëndetësore të Gazës kanë njoftuar për të paktën 30 viktima të tjera nga sulmet gjatë natës. Po ashtu, në territorin izraelit pak kilometra larg kufirit, janë gjetur ditën e sotme dhjetëra trupa të pajetë .
Mes banesave të djegura dhe mbetjeve të bombardimeve janë gjetur kufoma civilësh dhe militantësh të Hamasit.
Situata mbetet e paqartë edhe për pengjet e marrë nga Hamasi që prej të shtunës. Izraeli ka identifikuar pjesën më të madhe të tyre, ndërsa dyshohet se mes tyre janë edhe rreth 20 shtetas amerikanë.
Militantët kërcënuan të hënën se do t’i vrasin pengjet, nëse Izraeli vazhdon të bombardojë Gazën pa paralajmërim, por nuk ka ndonjë të dhënë që e kanë bërë një gjë të tillë ndërsa ushtria izraelite vijon sulmet ajrore.
Ndërkohë që luftimet zhvillohen nga ajri, Izraeli ka rrethuar kufirin dhe po mban në gatishmëri edhe forcat tokësore.





