Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, i ka dërguar një letër urimi  presidentes në detyrë , Vjosa Osmani, me rastin  e 13- vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Kreu i Shtëpisë së Bardhë shprehu gatishmërinë për të punuar me qeverinë e re në rrugën e integrimit evropian teksa theksoi rendësin e njohjes reciproke mes Serbisë dhe Kosovës.

 

JOE BIDEN

PRESIDENT I SHBA-së

“Ka ende shumë punë për të bërë, përfshirë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë e fokusuar në njohjen e ndërsjellë, që fuqizon përballjen me pandeminë dhe nxitjen e rritjes ekonomike e cila mundëson një të ardhme të begatë për të gjithë qytetarët e Kosovës.”

 

Por urimi i presidentit duket se shkon përtej miqësisë mes dy vendeve. Biden nënvizon  se Kosova është një vend i veçantë për familjen e tij.

 

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partner dhe mik i përkushtuar i Kosovës. Ndërkaq për mua personalisht, Kosova vazhdon të mbajë një vend të veçantë në familjen Biden, në shenjë respekti të kohës gjatë së cilës djali ynë i ndjerë Beau Biden punoi për ta siguruar paqen, drejtësinë dhe shtetin e së drejtës për të gjithë qytetarët e Kosovës.”

 

Ditë më parë presidenti Biden, i bëri thirrje presidentit të Serbisë që të punojë drejt reformave evropiane dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Kosovën të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

 

Më herët gjatë ditës ambasadori amerikan në Prishtinë, Filip Kosnet takoi kryeministrin e zgjedhur të Kosovës, Albin Kurtin si dhe presidenten në detyrë, Vjosa Osmani. Diplomati i lartë u bëri thirrje partive politike  që të punojnë shpejt për të krijuar një qeveri dhe parlament, që u shërben të gjithë qytetarëve dhe qe adresojnë të gjitha sfidat.

 

Takimet u komentuan edhe nga kryetari i parlamentit serb, Ivica Daçiç i cili tha se me zgjedhjen e Kurtit, dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit do të vështirësohet.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *