Biden do Trump në garën për Shtëpinë e Bardhë: Nuk jam i sigurt nëse do kandidoj…

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden ka befasuar me deklaratën e fundit, duke thënë se Donald Trump është motivi që ai të garojë për një tjetër mandat në Shtëpinë e Bardhë
“Nëse Trump nuk do të kandidonte, nuk jam i sigurt nëse do të kandidoja. Ne nuk mund ta lëmë atë të fitojë.”- ka thënë presidenti në një aktivitet në Boston.
Komenti i Biden erdhi në fund të fjalimit që ai mbajti për rreziqet që ish-presidenti Trump, sipas tij paraqet për demokracinë.
Komentet vijnë gjithashtu në një kohë kur edhe votuesit demokratë po ngrenë shqetësime dhe pikëpyetje të mëdha për moshën e Biden i cili ka mbushur tashmë 81 vjeç duke u bërë kështu edhe kreu më i moshuar i Shtëpisë së Bardhë në histori.
Dhe ishte pikërisht mosha e madhe e Biden që u përdor si argument në kundërpërgjigjen e Trump.
“Ai nuk do t’ia dalë fizikisht deri në zgjedhje. Gjendja mendore e tij është po aq e keqe ose edhe më shumë, se gjendja e tij fizike.
Zgjedhjet presidenciale të SHBA do të mbahen vitin e ardhshëm, ndërsa gara sa vjen e bëhet më e fortë.
Dy emrat më të përfolur deri më tani për të marrë sërish mandatin janë presidenti aktual Joe Biden dhe ish-presidenti Donald Trump.
Sondazhet e fundit i japin përparësi këtij të fundit, pavarësisht problemeve të shumta juridike me të cilat ai po përballet.




