Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani ka paditur në Gjykatën Kushtetuese dy anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Artan Hajdari e Luan Daci. Këtë të martë u mbajt seanca e radhës në KPA për kërkesën e Komisionerit Publik për shkarkimin e Canit.

 

Gjatë kësaj seance, avokati i tij, Eduard Halimi bëri me dije se ka depozituar padi në Kushtetuese sepse kërkon verifikimin e kushtetuteshmërisë së zgjedhjes si anëtarë të Hajdarit e Dacit. Halimi pretendoi në seancë se ata nuk duhet të ishin pjesë e trupës gjykuese të KPA. Po ashtu, avokati kërkoi edhe që procesi të pezullohet derisa SPAK të shprehet për hetimin për Dacin për akuzën e falsifikimit.

 

SPAK ndërkohë ka regjistruar procedimin penal ndaj Hajdarit dhe Dacit, ndërsa për kërkesën e Besnik Canit pritet të vendosin në orën 12:00.

 

Besnik Cani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në nëntor të vitit 2018, duke ju hapur kështu rruga për t’u zgjedhur edhe anëtar në KLP.

 

Por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit vuri në lëvizje Komisionerin Publik dhe rekomandoi ankimin e vendimit të KPK. Komisioneri Publik e pranoi në shkurt të 2019 kërkesën e ONM dhe e dërgoi çështjen e Canit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

 

Prokurorit i hapi telashe pasuria e tij, pasi sipas Komisionerit Publik, ai ka përfituar nga Bashkia e Fierit një kredi të butë pa të drejtë, në një kohë kur ushtronte profesionin e prokurorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *