Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ironizoi komisionerin Ilirjan Celibashi, se mbrojti farsën elektorale duke lexuar deklarata të gatshme nga zyra e Kryeministrit. Në një konferencë me gazetarët, Berisha përsëriti se opozita nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve të 11 majit, pasi sipas tij, vullneti i qytetarëve u deformua.
“Të gjithë flasin çfarë thotë zyra e Edi Ramës. Këta i marrin të gatshme nga zyra e Ramës dhe i lexojnë. Si Ilirjani, ashtu dhe Bajrami, edhe të gjithë me radhë. Këtu ka vetëm një zyrë shtypi dhe ajo zyrë shtypi është vetëm e Edi Ramës. Nuk ka deklaratë me qesharake. Zgjedhjet ishin një farsë e vërtetë elektorale dhe ne kemi faktuar me qindra mijëra fakte se, në këto zgjedhje u shkelmuan standardet më elementare të zgjedhjeve të drejta, standardet ndërkombëtare dhe ligjet e vendit”, tha Berisha.
Lexo edhe :
Related Posts
Gjatë komunikimit me gazetarët, Berisha akuzoi qeverinë se po përgjon qytetarët, nëpërmjet pajisjeve të paligjshme.
“Ai kur vendosi bllokimin e TikTokut, vendosi të gjithë teknologjinë e regjistrimit të përgjithshëm të çdo lloj komunikimi në Shqipëri, teknologji të cilën nuk e ka vendosur asnjë vend tjetër, sepse ajo është teknologjia më policeske, me të cilën kontrollohet totalisht privatësia e çdo qytetari, shqiptar apo të huaj. Ky operacion është kryer nëpërmjet AKEP-it dhe famozes Vlora Hyseni.
Ky operacion është një akt policesk i shëmtuar, por tani dora-dorës me Uluziun dhe eksponentin mafioz të Sigurimit të Shtetit, Arben Rakipi, një nga përfaqësuesit më të shëmtuar të mafies së Sigurimit të Shtetit shqiptar, po kompleton kodin në mënyrë që ta përdorë informacionin për të ndëshkuar qytetarët dhe gazetarët”, tha kreu i PD-së.
Edhe sot, kryetari i PD, Sali Berisha, u fokusua te dosja e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, duke i bërë apel autoriteteve amerikane të hetojnë lidhjet e McGonigal me kryeministrin Edi Rama.





