Subscribe

Një ditë para se Edi Rama, Aleksandër Vuçiç, Dimitar Kovaçevski dhe Dritan Abazoviç të ulen në tryezën përbashkuese të “Ballkani i Hapur”, nisma u vu sërish në shënjestër të akuzave të Partisë Demokratike.

 

Për kryetarin Sali Berisha takimi i katër liderëve të Ballkanit Perëndimor, pa Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën është një aleancë me synim të qartë, rrezikimin e sigurisë dhe  paqes në rajonin e Ballkanit.

 

 

SALI BERISHA

KRYETAR I PD

 

Sot jam këtu para jush për të denoncuar takimin e aleancës trilaterale të Ohrit, si një aleancë e rrezikshme për paqen, stabilitetin në Ballkan, si një aleancë që synon vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon, si një aleancë që i kundërvihet tërësisht procesit të integrimit evropian dhe procesit të tregut të përbashkët rajonal në kuadrin e nismës së Berlinit. Pra, ky akt, ky “Samit i Ohrit”, është një Samit që prodhon serbomadhi, rusofili dhe asgjë të mirë për shqiptarët. Përshëndes qeveritë që refuzojnë anëtarësimin në këtë klub të Beogradit.

 

Pjesëmarrjen e kryeministrit malazez Dritan Abazoviç në “Ballkani i Hapur” që më herët është kundërshtuar nga paraardhësit e tij dhe nuk gëzon ende sot mbështetjen e presidentit Milo Gjukanoviç dhe një pjese të opozitës atje, Sali Berisha e komentoi.

 

SALI BERISHA

KRYETAR I PD

 

Duket sikur do i shtohet dhe Mali i Zi dhe pavarësisht akuzave Open Ballkan vazhdon? Mali i Zi nuk është anëtarësuar, ka shkuar për të marrë pjesë sepse Mali i Zi ka një kompozim në të cilin një pjesë e popullsisë së tij është të themi serbe në fakt. Pjesa dërrmuese e popullsisë malazeze nuk është me origjinë serbe dhe në ruajte të këtyre ekuilibrave, por presidenti Gjykanovic ka kundërshtuar në mënyrë të prerë dhe të hapur anëtarësimin e vendit të tij në nismën e Ballkanit të Hapur.

 

 

Të mërkurën tryezës së diskutimeve në Ohër të Maqedonisë së Veriut do t’i bashkohet përmes një video mesazhi Gabriel Escobar, zevëndës ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit dhe Oliver Varhelyi, Komisioneri i Zgjerimit në Bashkimin Evropian.

 

Takimi i dhjetë do të mbyllet me nënshkrimin e një marrëveshje dhe tre memorandumeve. Njohja e ndërsjellë e diplomave universitare, vendosja e bashkëpunimit në reduktimin e taksave për disa produkte në pikat doganore apo krijimi i një harte të përbashkët turistike.

 

Mbetet për t’u parë se cili do të jetë mesazhi që do të përcjellin Escobar dhe Varhelyi. Në të gjitha qëndrimet zyrtare nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës është shprehur mbështetja por me kushtin që të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të përfshira. Kosova dhe Bosnje

Hercegovina vazhdojnë t’i thonë jo “Ballkanit të Hapur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *