Ish-kryetari i PD, Sali Berisha nuk e njeh vendimin e Bashës për 18 dhjetorin. Në një konferencë për shtyp, lideri historik i së djathtës akuzoi kreun e PD se po bashkëpunon me kryeministrin Rama kundër demokratëve.
“Pengkryetari ka mbledhur Kryesinë false të kësaj partie, e cila në masën 60 përqind të saj është zgjedhur në dhunim flagrant të statutit të partisë, jo me votën e fshehtë të Këshillit Kombëtar, dhe njofton datën që i jep Edi Rama pengut të tij, 18 dhjetorin. Ta harrojë kushdo se mund të luajë me revolucionin paqësor në Shqipëri. Mjerë ata që kërkojnë të përballen me të. Ndaj i them Edi Ramës hiq dorë. Idealet e demokratëve nuk mund t’i mposhtë askush.”
Sipas Berishës, partia ka vetëm një Kuvend Kombetar dhe ai do të mblidhet në 11 dhjetor.
“Pengkryetarit i them se me 11 dhjetor, je i ftuar të vish në Kuvendin e PD. Këtë nuk e thërret përfaqësia, por e thërret anëtarësia. Përfaqësia donte me çdo kusht ta bllokonte, ndaj e thirri anëtarësia. E njoftoj peng-Bashën se data 11 është vetëm data e fillimit të Kuvendit, i cili do e vazhdojë punën deri me rivendosjen e plotë të pluralizmit në Shqipëri.”
Berisha ka sulmuar ashpër kreun e PD, Basha, duke i cilësuar vendimet e tij qesharake.
Berisha i është përgjigjur edhe akuzave për përfshirjen e figurave si Tom Doshi e Aqif Rakipi në mbledhjen e firmave.
“Ka një anë që është bërë e qartë si ajo drita aty që peng-Basha nuk di gjë tjetër veçse të gënjejë. Një gjë duhet të dini, ai që gënjen të vetët, ai nuk lë njeri pa gënjyer e nuk kam gjetur këto kohë një demokrat që nuk e ka gënjyer Basha. Le ta injorojmë këtë gënjeshtër.”
Berisha është shprehur i vendosur për të vazhduar betejën e tij e nesër do të jetë në takim me demokratët në Fushë Krujë.





