Berisha: Rinia po lufton për çdo shqiptar, ajo nuk pajtohet kurrë me narkoshtetin dhe diktaturën e Ramës

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sërish për protestat e zhvilluara gjatë ditëve të fundit në vend, duke i cilësuar ato si shprehje të revoltës së të rinjve kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Në një komunikim live me qytetarët, Berisha u shpreh se java e fundit është karakterizuar nga ajo që ai e konsideron si shpërthimin e revoltës më të fuqishme studentore në Shqipëri. Sipas tij, protestave u janë bashkuar studentë dhe gjimnazistë në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit, mes tyre Shkodra, Durrësi, Vlora, Elbasani, Korça dhe Gjirokastra.
Berisha tha se mobilizimi i të rinjve dëshmon pakënaqësinë e tyre ndaj mënyrës së qeverisjes dhe problemeve që, sipas tij, lidhen me korrupsionin, krimin, zgjedhjet dhe mungesën e perspektivës për të ardhmen në Shqipëri.
“Java ishte java e eksplozionit të revoltës më të fuqishme studentore që ka njohur vendi. Ishte java në të cilën studentët e universitetit të Tiranës, gjimnazeve të Tiranës dhe më pas gjimnazeve të qarqeve Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, universitetet e këtyre qarqeve dhe gjimnazet e këtyre qyteteve, dhe së fundmi dje greva e përgjithshme dhe gjimnazistëve në mbarë vendin, ishin zhvillimet më shpresëdhënëse, me jehonën më të madhe ndërkombëtare.
Ishin zhvillimet që dëshmuan, se rinia shkollore e Shqipërisë nuk pajtohet kurrë me narkoshtetin shqiptar, diktaturën autokratike të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.
Se rinia e universiteteve dhe gjimnazeve të vendit nuk pranon më tutje piramidën e mashtrimit mediatik dhe propagandist që iu është bërë atyre në vite e vite. Duke paraqitur farsën zgjedhore si votë të lirë.
Duke paraqitur produktet e drogës si suksese. Duke mashtruar me idealet evropiane të cilat në të vërtetë rrënoheshin çdo ditë e më shumë. Duke korruptuar shtetin në çdo qelizë, gjuhën dhe mendimin.
Rinia studentore dhe e gjimnazeve të vendit u ngrit mbi këtë gërmadhë, e vendosur të luftojë për të ardhmen e saj të vërtetë në Shqipëri. Në këtë kuadër, këta të rinj po luftojnë në të vërtetë për çdo shqiptar, për fëmijët e çdo shqiptari të ndershëm, po luftojnë që ëndrrat e tyre t’i ndërtojnë në Shqipëri. Besoj se çdo qytetar, çdo prind, çdo burrë dhe grua, kudo që punon duhet të ndjejë përgjegjësinë reale ndaj tyre sepse narkoshteti nuk zbriti nga qielli”, tha Berisha.
Ai akuzoi qeverinë Rama për korrupsion dhe për keqmenaxhim të fondeve publike, duke deklaruar se skandalet e njëpasnjëshme kanë cenuar besimin e qytetarëve te institucionet. Sipas kreut të PD-së, largimi i të rinjve nga vendi është një tjetër tregues i problemeve me të cilat përballen shqiptarët.
“Rinia studentore dhe e gjimnazeve të vendit u ngrit mbi këtë gërmadhë, e vendosur të luftojë për të ardhmen e saj të vërtetë në Shqipëri”, tha Berisha.
Kreu i opozitës u bëri thirrje qytetarëve që t’u bashkohen protestave dhe të mbështesin të rinjtë, duke e cilësuar këtë si një përgjegjësi të shoqërisë shqiptare.
Sipas Berishës, protestat nuk lidhen vetëm me kërkesat e studentëve dhe gjimnazistëve, por edhe me shqetësime më të gjera të qytetarëve për qeverisjen, ekonominë dhe të ardhmen e vendit.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur vendi është përfshirë nga protesta të dhunshme dhe përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të policisë.




